Një asteroid merr emrin e vajzës kosovare Pranvera
Një asteroid i zbuluar në vitin 2000 nga Catalina Sky Survey është emërtuar me emrin e vajzës 22 vjeçare nga Kosova, Pranvera Hyseni.
Pranvera është e njohur në fushën e astronomisë pasi është themeluese dhe njëkohësisht drejtuese e programit “Astronomy Outreach of Kosovo”, një program ky me synim shpërndarjen dhe edukimin rreth fushës së astronomisë në Kosovë.
Lajmi u bë i ditur nëpërmjet rrjeteve sociale në llogarinë personale të Pranverës, ku ajo shpreh nëpërmjet një postimi entuziasmin dhe privilegjin që ndjen për lajmin.
“Është privilegj i madh për mua dhe klubin Astronomy Outreach of Kosovo që një asteroid të emërohet me emrin tim. Vërtetë mbeta pa fjalë! Ndjehem njeriu më i lumtur në botë. Faleminderit Rik Hill dhe Minor Planet Center”, shkruan ajo në Facebook.
- Foto nga llogaria personale në Facebook/ Pranvera Hyseni
Pranvera përshkruhet në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve si përfaqësuese dhe kontribuese e devotshme e Kosovës në astronomi.
Por si arriti 22-vjeçarja Pranvera Hyseni të bëhej përfaqësuese e Kosovës për astronominë?
Që në moshë të vogël ajo kultivonte një dashuri dhe kuriozitet për qiellin dhe yjet. “E dija se fshihet diçka speciale pas këtyre trupave qiellorë dhe doja të mësoja më shumë”, shprehet ajo për portalin Spacefest.
“Isha shumë me fat që mora dhuratë teleskopin tim të parë në 2011 nga një miku im i mirë i cili e dinte pasionin që unë kisha për hapësirën qiellore. Ai më mësoi si ta përdorja dhe u mrekullova se sa shumë më shumë gjëra dalloja nga çfarë shihja me sy të lirë. Që atëhere pasioni im për astronominë erdhi duke u rritur”.
Për momentin Pranvera ndjek studimet e larta pranë Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës. Qëllimi i saj është të sjelli nëpërmjet “outreach-it” më shumë dije dhe të ndajë eksperiencat e saj nga SHBA me të rinjtë në Kosovë ./k.m/
Burimi: Spacefest