Republikanët gjeorgjianë nominojnë kandidatin e parë lezbike
Një lajm i paprecedent ka ardhur nga një parti politike gjeorgjiane e cila ka nominuar kandidaten e parë nga komuniteti LGBT për një post zyrtar.
Kandidatja në fjalë garon përkrah partisë opozitare jo-parlamentare të republikanëve. Kandidatja quhet Nino Bolkvadze dhe është një avokate 40 vjeçare dhe mbështetëse e të drejtave të komunitetit LGBT. Nëpërmjet kësaj kandidature ajo synon të fitoj postin e këshilltares për qytetin e Tbilisit, kryeqyteti i shtetit gjeorgjian.
‘’Dëshiroj që Gjeorgjia të kthehet në një vend më të mirë për fëmijët e mi,’’ u shpreh Bolkvadze, një mama beqare e dy vajzave adoleshente, e cila u braktis nga familja për shkak të bërjes publike të orientimit të saj seksual dy vite më parë në një emision televiziv.
E themeluar nga disidentët katër dekada më parë dhe e shfuqizuar nga Gjykata e lartë Sovjetike, Partia Republikane Gjeorgjiane u bë anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, një grupimi politik liberalist në Parlamentin Europian, në 2007.
‘’ Mos votoni për Ninon vetëm se është lezbike, ka arsye të tjera pse votuesit duhet ta zgjedhin atë,’’ shprehet Tamar Kordzaia, sekretare e përgjithshme e Partisë Republikane. Ajo vijoi më tej me disa prej problematikave që Bolkvadze angazhohet të ndërmarri: ‘’Mamatë beqare, përfaqësimi i minoriteteve, të punuarit me grupet sociale vulnerabël dhe të ndërtuarit të strehave për personat LGBT”.
Kordzaia shprehet se Bolkvadze, edhe si avokate edhe si aktviste, ka pasur eksperiencë të gjerë duke punuar për këto çështje.
Për pjesëtarët e komunitetit të margjinalizuar të LGBT, debutimi i Bolkvadze në arenën politike është një frymëzim. ‘’ Shoqëria duhet të pranojë personat LGBT dhe ta kuptojë se ne jemi sikurse gjithë të tjerët dhe mund të bashkëjetojmë të gjithë së bashku në shoqëri në mënyrë paqësore’’ shprehet aktivisti për LGBT, Giorgi Tabagari.
Bashkëjetesa paqësore është diçka për të cilën aktivistët e LGBT janë përpjekur të arrijnë. Që prej Maj 2013, ku policia dështoi të ndalonte marshimin anti-gej të ortodoksëve që vërshuan drejt qendrës në Tbilisi, ku aktivistët e LGBT ishin mbledhur për të celebruar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë.
Së paku 12 persona (duke përfshirë këtu 3 policë) u shtruan në spital pasi morën goditje në trazirat e asaj dite. Delegacioni i BE e dënoi ashpër përleshjen fizike duke e cilësuar ‘’ skena të një intolerance brutale dhe dhune’’. Më vonë Gjykata e rrethit të Tbilisit iu vuri masë arresti priftërinjve ortodoksë që sulmuan fizikisht aktivistët. Edhe pse Tabagari, aktivist i komunitetit LGBT, nuk beson se nominimi i Bolkvadze do të ndryshojë esencialisht politikat në Gjeorgji, rasti do të mbetet precedent për parti të tjera politike që të jenë më të hapura ndaj komunitetit.
Ndërkohë Bolkvadze vazhdon punën ligjore, dhe deri më tani nuk ka hasur ndonjë reagim të ashpër të kandidaturës së saj./k.m/
Burimi: VOA