Gjykata e detyron të ndajë banesën me ish-bashkëshortin ndaj të cilit ka urdhër mbrojtje
Gjykata e Durrësit e ka detyruar 44-vjeçaren të ndajë të njëjtën banesë me ish-bashkëshortin ndaj të cilit ka një urdhër mbrojtje. E divorcuar pas 16 vitesh martesë dhe me dy fëmijë të sëmurë, Bukurie Dervishi i bën apel për ndihmë institucioneve.
“Ish-bashkëshorti im mund të më vrasë mua dhe fëmijët. Unë e kam denoncuar disa herë, por policia nuk e arreston, pasi ai ka kartelë mjekësore si i paaftë për punë. Para se të më mbytë apo të më vrasë ish-burri, më mirë do i jap fund jetës vetë”, ka thënë ajo për Balkanweb.
Gjykata e Durrësit ka vendosur që ish- bashkëshorti Fatmir Murrizi të banojë në një nga dhomat e banesës sociale ku Bukuria jeton me dy fëmijët e saj. E tronditur, ajo tregon se ish-bashkëshorti i saj, Fatmir Murrizi e ka dhunuar sistematikisht gjatë gjithë viteve që ka qenë e martuar me të. Bukuria thotë se ish-burri nuk ka paguar asnjë detyrim financiar për banesën sociale.
/l.k./