Peformanca publike “Burrat hekurosin” që sfidon mendësinë patriarkale në Prizren
Një performancë publike ku burrat hekurosin, një punë kjo e konsideruar veç për gratë, u zhvillua pranë “Lidhjes së Prizrenit” një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Prizrenit në Kosovë.
Ky aktivitet i organizuar nga grupi i vajzave dhe grave “FEMaktiv”, i cili synon që nëpërmjet performancave publike të thyejë akullin rreth temave edhe tabuve në një qytet me mendësi patriarkale si ai i Prizrenit.
Performanca pati si objektiv thyerjen e stereotipeve gjinore , me synimin për të ndryshuar mentalitetin Kosovar, ku ndarja e punës është e prerë me thikë midis grave dhe burrave.“Përveç kësaj, punët e shtëpisë ende vazhdojnë të perceptohen si obligime që i takojnë vetëm grave. Andaj, nëpërmjet kësaj performance publike FEMaktiv synon ti sfidojë rolet gjinore duke e dhënë mesazhin që punët e shtëpisë nuk janë obligime që i takojnë vetëm grave. Punët e shtëpisë janë obligime që duhen të ndahen në mënyrë të barabartë në mes të grave dhe burrave – pa dallim gjinie”, thuhet në komunikatën për shtyp të grupimit “FEMaktiv”.
Burrat hekurosin në Prizren/ Foto: “FEMaktiv”
Organizatorët e kësaj performance ftuan të gjithë qytetarët t’i bashkohen nismës për të sfiduar rolet tradicionale gjinore: “Arritja e barazisë gjinore në jetën private është e domosdoshme për arritjen e barazisë gjinore në jetën politike dhe publike duke i dhënë fund stereotipeve gjinore. Iniciativa FEMaktiv i fton të gjithë qytetarët/et që të bashkëngjiten në këtë performancë pubike, e cila ka për qëllim të sfidojë e roleve tradicionale gjinore”.
/k.m/
Burimi: Kult Plus