Gjendja civile i mban gjallë vajzën e vdekur 18 vite më parë; Babai: “Më kërkuan para”
Zihni Vojka humbi vajzën tij për shkak të një temperature të lartë në vitin 1999. Për 18 vite ai është endur zyrave të gjendjes civile dhe institucioneve përgjegjëse për të çregjistruar fëmijën e ndarë nga jeta, por ende nuk ka gjetur një zgjidhje.
“Më presin e përcjellin sikur të mos jem njeri. Po kërkoj një shërbim për një problem që vetë shteti duhet të ndërhyjë për ta zgjidhur. Vajza ka vdekur që në vitin ’99 dhe akoma vazhdon sot të jetë në trungun familjar”, tha babai i vajzës.
Zihni Vojka tregon se ka dokumente, ku ish-kryeministri Berisha dhe kryeministri aktual, Edi Rama u kanë dërguar shkresë institucioneve në Durrës për të shqyrtuar rastin e tij. Por ai thotë se tashmë është shumë vonë, pasi kjo çështje mund të zgjidhet vetëm në gjykatë.
Ai fajëson Bashkinë Sukth që nuk ia çregjistruan fëmijën brenda afatit dhe nuk e informuan në vitet në vijim se e vetmja rrugë ishte gjykata. Sipas tij, punonjësit e bashkisë i kanë përplasur derën dhe ka pak kohë që ai ka mësuar se kjo çështje duhej zgjidhur vetëm me proces gjyqësor.
Denoncimi: “Më kërkuan 20 mijë lekë për të çregjistruar foshnjën”
“Konform ligjit, katër ditë pas vdekjes së foshnjës kam shkuar në gjendjen civile për të çregjistruar fëmijën, por nëpunësja e gjendjes civile, K. Xhafaj, më kërkoi 20 mijë lekë të rinj për të nisur procedurat. Unë kundërshtova, pasi procedurat nuk kërkojnë pagesë më vlerë aq të madhe. Ndërsa ajo refuzoi të kryente çregjistrimin, duke më thënë që pa para nuk bëhet asgjë”, thotë babai i vajzës.
/l.k./