Grafiti në Tiranë, Organizata Politike i bën thirrje qytetarëve të bojkotojnë zgjedhjet
Pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, Tirana është zgjuar me thirrje për t’i bojkotuar ato. Organizata Politike ka reaguar me anë të grafitit nëpër qytet ku paraqet tre liderët e PS, PD dhe LSI si dhe një listë me pika për secilën parti se pse nuk duhen votuar. “Në zgjedhjet e 25 qershorit nuk ka asnjë alternativë. E vetmja alternativë është bojkoti”, thuhet në deklaratën e tyre.
Më poshtë parashtrojmë disa nga pikat që sipas OP, njerëzit duhet të dinë përse të mos votojnë në këto zgjedhje
– Si mund të votoni një parti si PS?!
b. që nëpërmjet ligjit të arsimit të lartë do t’u falë paratë e popullit pronarëve të universiteteve private, që ka rritur e do të rrisë tarifat dhe kostot universitare për studentët;
c. që është gati të sjellë plehrat e gjithë Evropës në Shqipëri;
d. që ka rritur me 30% çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e thjeshtë dhe e ka ulur për pasanikët..
f. që po rrit vit pas viti moshën e daljes në pension,
j. që po shkatërron lumenjtë dhe mjedisin..
– Si mund të votoni një parti si PD?!
b. që ka lejuar dhe nxitur hapjen e mbi 40 universiteteve private, njëra më skandaloze se tjetra, që në vitet e qeverisjes së saj i ka rritur vit pas viti tarifat universitare për studentët;
c. që më 2011 ka miratuar një ligj që nxiste importin e plehrave në Shqipëri;
d. që përmes privatizimit më 2009 ka shkatërruar sektorin e energjisë duke i sjellë shtetit qindra milionë euro dëm;
e. që nuk la shërbim publik pa ua dhënë me koncesion klientëve të vet;
i. që sa herë ka mundur ka shkatërruar pyje e lumenj, duke dhënë mbi 400 licenca për ndërtime hidrocentralesh private;
– Si mund të votoni një parti si LSI?!
a. Që në tetë vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtorja e zellshme e dy partive të mëdha në të gjitha të zezat që i kanë bërë popullit;
b. që mishëron një egërsirë të vogël që s’lë zyrë shteti pa zaptuar e tender pa fituar, që i shet vendet e punës në administratë si të ishin qofte pazari…
Në thirrjen për të mos votuar, OP e sheh bojkotin jo si indiferencë, por si një akti i domosdoshëm për refuzimin e situatës aktuale.
Kjo nuk është hera e parë që Organizata Politike del kundra kastës politike shqiptare. Më herët ata kanë reaguar me deklarata dhe aksione me grafti për 21 janarin, vendosjen e emrave të deputetëve në koshat e plehrave, emrat e personave që kanë humbur jetën në vendin e punës etj.
Deklarata e plotë: këtu