KShH: Të paraburgosurit po përjashtohen padrejtësisht nga e drejta për të votuar
Një vëzhgim i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në burgun e Peqinit nxjerr në pah fakte shqetësuese mbi përjashtimin e shtetasve shqiptarë nga e drejta për të votuar. Sipas ligjit shqiptar, shtetasit e dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për një sërë akuzash nuk kanë të drejtë të votojnë e as të zgjidhen.
Megjithatë, në nenin 30 të Kushtetutës thuhet: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.
Nga verifikimi i KShH në burgun e Peqinit, rezulton se 23 të paraburgosur nuk janë përfshirë në listat e zgjedhësve të 25 qershorit 2017. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, pasi 23 personat që po qëndrojnë në paraburgim gëzojnë të drejtë të plotë për të votuar, deri në momentin që ndaj tyre nuk është marrë asnjë vendim i formës së prerë për asnjë nga 86 veprat penale që parashikon ligji 138/2015.
Drejtuesit e burgut të Peqinit të pyetur nga përfaqësues të KShH, deklaruan se nuk kan marrë asnjë udhëzim për këtë çështje, ndaj në listë janë përfshirë të gjithë personat që janë dënuar ose akuzohen për veprat penale që parashikon ligji.
“Duke marrë shkas nga ky vëzhgim dhe nga deklaratat e drejtuesve të këtij burgu, ka të drejtë të ngrejë dyshimin e arsyeshëm se shkelje të kësaj të drejte mund të kenë ndodhur edhe në burgje të tjera të vendit”, thuhet në njoftimin e KShH.
KShH i ka sugjeruar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrin masa për rivendosjen e të drejtës së shkelur dhe ta verifikojnë këtë çështje në shkallë vendi që ky fenomen mos të ndodhë në burgje të tjera.
/l.k./