Tarifat vjetore të universiteteve për vitin e ardhshëm akademik
Një nga faktorët që mund të ndikojnë në përzgjedhjen e universitetit janë edhe tarifat e studimit që studentët që hyjnë për herë të parë në universitet duhet të paguajnë. Pasi përveç tarifës vjetore të studimit, ata duhet të paguajnë edhe 4 tarifa të tjera. Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për Arsimin e Lartë” tarifat vjetore kanë ndryshuar, në jo pak prej universiteteve ato janë rritur dhe deri dyfishuar.
Për studentët që do të nisin universitetin në vitin akademik 2017-2018, tarifat variojnë nga 25 mijë lekë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për ciklin e parë të studimeve (Bachelor), deri në 40 mijë lekë në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale. Ndërkohë, për ciklin e dytë të studimeve studentët do të duhet të paguajnë në varësi të programit duke filluar nga 63 mijë Lekë deri në 204 mijë lekë.
Në universitetet publike pranohen çdo vit 22.420 studentë për të cilët tarifat janë unifikuar në pjesën më të madhe të fakulteteve.
- Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të gjitha programet e studimit e kanë tarifën e shkollimit 30 mijë lekë.
- Fakulteti i Shkencave të Natyrës, të gjitha programet e studimit e kanë tarifën 25 mijë lekë.
- Po ashtu dhe te Gjuhët e Huaja, tarifa është 25.000 lekë në vit.
- Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Drejtësisë ka tarifën 40 mijë lekë.
- Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe programin e studimit që ofrohet në filialin e Sarandës, do ta ketë tarifën 35.000 lekë.
- Universiteti i Arteve e ka tarifën e shkollimit 40 mijë lekë në vit.
- Universiteti i Sporteve e ka miratuar tarifën 35 mijë lekë në vit.
- Universiteti Politeknik i Tiranës ka diversitet më të madh të tarifave, pasi ka disa programe me tarifën 25 mijë lekë, më tej ka disa me tarifë 30.000 lekë, 35 mijë lekë e ka vetëm Inxhinieria e Ndërtimit, ndërsa taifën më të lartë e kanë programet e Arkitekturës dhe Urbanistikës, 40 mijë lekë në vit.
- Po ashtu, edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës i variojnë tarifat e studimit nga 25 mijë lekë në vit për një pjesë të madhe të programeve të studimit që ofron, deri në 40 mijë lekë, që është tarifa më e lartë e shkollimit për programin Mjekësi Veterinare.
- Në programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, me përjashtim të Infermierisë së Përgjithshme, që e ka tarifën 40 mijë lekë, studentët e programeve të tjera do paguajnë për një vit studimi 35 mijë lekë në vit.
- Programet e tjera Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji do ta kenë tarifën 45 mijë lekë.
- Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, si dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ashtu si dhe vitin e shkuar do të ruajnë tarifat e unifikuara për të gjitha programet e studimit me 25 mijë lekë.
- Universitetet e tjera të rretheve, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do ta kenë tarifën vjetore të studimit pothuajse për të gjitha programet 20 mijë lekë në vit.
Burimi: ATA