LGBTI: Nuk mund të fshihemi më
Mbi 200 anëtarë të komunitetit LGBTI, aktivistë të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe rajoni si edhe mbështetës të kauzës pedaluan sot për të drejtat e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Pas shumë pikëpyetjesh nëse protesta e opozitës do ta ndalonte pedalimin, kjo nuk ndodhi dhe protesta u zhvillua pa asnjë incident.
Kristi Pinderi, aktivist LGBTI, tha për Historia Ime: “Kishim dy opsione një të shkonim nga liqeni dhe të përfundonim tek kopshti zoologjik ose dy të qëndronim në shtëpi. Zgjodhëm një opsion të tretë të vazhdonim me planin tonë sepse komuniteti LGBTI nuk mund të fshihet gjithë jetën”.
Mesazhi i këtij viti ishte “Koha e premtimeve mbaroi”, me anë të të cilit aktivistët kërkuan ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundër diskriminimit ndaj komunitetit LGBTI në Shqipëri.
Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBTI, tha për Historia Ime se kjo nuk është festë por protestë. “Parada jonë nuk është qejf por një aksion politik. Një aksion politik që këtë vit kërkon t’iu tregojë njerëzve që koha e premtimeve ka skaduar dhe ka filluar koha e rezultateve konkrete”, tha Karaj.
Gjatë pedalimit, aktivistët ndaluan edhe përpara Kuvendit të Shqipërisë, për të kërkuar barazi dhe dinjitet në shoqëri. “Sot dalim si qytetarë të ndërgjegjësuar të këtij shteti për të ngritur zërin kundër çfarëdolloj padrejtësie dhe për të kërkuar barazi dhe dinjitet në këtë shoqëri, gjë të cilën deri më sot ky kuvend nuk e ka bërë”, tha Bora Mema, aktiviste e Lëvizjes për Universitetin.
Si asnjëherë më parë, në paradën LGBT pjesëmarrësit ishin në pjesën dërrmuese të tyre shqiptarë.
HISTORIA IME