68% e studentëve të pakënaqur nga ndryshimet në skemën e pranim/regjistrimit në Universitete
Foto: Protestat e maturantëve për kundër ndryshimeve në formulën e pranimit në universitete/ Shtator 2016
Lëvizja Për Universitetin publikon rezultatet e pyetësorit me studentët mbi pasojat e ndryshimeve në procesin e aplikimit dhe regjistrimit në universitete në vitin akademik 2016 – 2017. Në pyetësor kanë marrë pjesë 385 studentë, nga universitete publike dhe private në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Si kanë ndryshuar procedurat e aplikimit dhe kriteret në Universitete?
Ndryshimet e bëra nga Ministria e Arsimit dhe sportit në korrik të vitit 2016 prekën formulat e aplikimit dhe ato të pranimit. Për herë të parë Universitetet private u bënë pjesë e formularit A1, ku studentët rankojnë 10 zgjedhjet e tyre për programet e studimit. Një tjetër ndryshim ishte ai i kritereve, ku nota mesatare 6 u vendos si kriter i detyrueshëm për të gjithë universitetet, ndërsa kriteret e tjera u lanë në dorë të Universiteteve.
Për herë të parë iu dha rëndësi në konkurrim edhe mesatares së grup-lëndëve specifike të gjimnazit që përputheshin me profilin e Universiteteve ku studentët aplikonin.
Sa janë penalizuar studentët nga vonesa në njoftimine ndryshimeve?
Por sipas pyetësorit të zhvilluar nga Lëvizja “Për Universitetin” , 86% e studentëve janë shprehur të pakënaqur për faktin se këto ndryshime i janë bërë të ditura vetëm në korrik të vitit 2016.
“Sipas studentëve kriteret do duhej të ishin shpallur shumë kohë më përpara, në mënyrë që ata të kishin mundësi të zgjidhnin lëndët që përputheshin me kriteret e vendosura apo të përqendroheshin më shumë në kriterin i cili kishte peshën më të madhe në degën që ata preferonin”,thuhet në raportin e publikuar nga Lëvizja “Për Universitetin”.
Universitetet kanë qenë të lira t’i vendosin vetë kriteret e pranimit. Ajo që binte në sy në këtë artikull të Historia Ime, ishte fakti se kriteret e universiteteve private ndryshonin shumë me ato të vendosura nga universitetet publike, edhe në rastet kur degët ishin të njëjta.
74% e studentëve, të penalizuar mospërfshirja e lendëve me zgjedhje
Kjo autonomi në vendosjen e kritereve ka bërë që shumë Universitete t’i përjashtojnë lëndët me zgjedhje nga formula e tyre e pranimit. Sipas pyetësorit të realizuar nga lëvizja “Për Universitetin” duket se ky fakt ka penalizuar një numër të madh studentësh. Rreth 74% e studentëve të pyetur kanë pohuar se mospërfshirja e lëndëve me zgjedhje i ka penalizuar ata në renditje.
Rezultatet e pyetësorit tregojnë se një pjesë e madhe e studentëve kanë qenë të pakënaqur procedurat dhe formulën e regjistrimit në tërësi.
Mbi 68% e cilësojnë formulën “të keqe” ose “shumë të keqe”
41.4 % e studentëve janë përgjigjur që e vlerësojnë si shumë të keqe dhe 27.34% si të keqe , 24% janë përgjigjur “mirë” dhe vetëm 3,12% e kanë vlerësuar si “shumë të mirë”.
/l.k./