Studimi: 92% e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbime sociale në qëndra të specializuara
“World Vision” dhe “Save the Children” kanë publikuar sot gjetjet e studimit të parë kombëtar mbi prevalencën dhe cilësinë e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri.
Sipas studimit 10.7 % e fëmijëve nga 2 deri në 17 vjeç në të gjithë vendin, kanë një vështirësi të një shkalle të thelluar në funksionim dhe zhvillim. Në 92% të rasteve, këta fëmijë nuk përfitojnë nga shërbimet sociale në një qendër shërbimi të specializuar.
Fëmijë me aftësi të kufizuar janë konsideruar fëmijë të cilët kryejnë me shumë vështirësi ose nuk e kryejnë fare një funksion apo veprimtari të jetës.
Toni Gogu, Drejtori Kombëtar i World Vision tha: “Ne duam, që secilit prej këtyre 70 mijë fëmijëve me të paktën një vështirësi të thelluar t’i themi “Tungjatjeta” dhe t’i drejtojmë drejt shërbimeve sociale të specializuara që u nevojiten, në bashkëpunim me bashkitë dhe partnerë të tjerë.”
Matja e prevalencës është bazuar tek modeli biopsikosocial dhe Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit për Fëmijët dhe të Rinjtë.
Kampioni i studimit përbëhet nga 13.000 familje, në të cilat është intervistuar një nga kujdestarët parësorë të fëmijës. Prindërit (nëna ose kujdestari ligjor) e 13 mijë fëmijëve të moshës 2 deri ne 17 vjeç, në 12 qarqet administrative janë pyetur nëse fëmijët e tyre kanë të paktën një ose më shumë vështirësi në 13 fusha që prekin aspektin fizik, mendor (intelektual) dhe emocional.
/l.k./