Largimi masiv i mjekëve nga Shqipëria, 145 kërkesa vetëm gjatë 2016
Ka shkuar në 400 numri i mjekëve që kanë bërë kërkesë të largohen nga Shqipëria vetëm në tre vitet e fundit. Shoqata Together for Life shkruan se Gjermania është destinacioni i preferuar për shkak se ky shtet njeh çdo diplomë, certifikatë apo specializim të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.
Në një intervistë për Together For Life, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, flet se në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 145 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t’u larguar nga vendi.
Statistikat e nxjerra nga Urdhri i Mjekut japin një shifër të rritje të mjekëve që kanë vendosur të largohen për vitin 2016. Rezulton se janë 31 mjekë specialistë dhe 114 mjekë të përgjithshëm të cilët kanë vendosur që të mos rrinë më në Shqipëri por t’i drejtohen vendeve të tjera (kryesisht Gjermanisë). Pra rezulton se janë 145 mjekë që kanë vendosur të largohen gjatë vitit 2016, më i keqi nga tre vitet e fundit, thotë zoti Fatmir Brahimaj.
Sa më shumë që rritet numri i mjekëve që kërkojnë të largohen nga Shqipëria, aq më shumë vuajnë spitalet e rretheve mungesën e specialistëve, duke u kthyer në godina të pavlera dhe sakrifikuese për ata pak mjekë që japin shërbim në çdo specialitet që munden.
Pas bërjes së evidencave për nevojat e spitaleve rajonale për mjekë specialistë rezulton se në të gjithë vendin ka mungesë të 300 mjekëve. Pavarësisht stimulimit prej 10.000 lekësh nga ana e qeverisë për të punuar në këto rajone, vetëm 7 mjekë kanë pranuar të shkojnë nëpër rrethe, raporton shoqata Together For Life.
Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, kjo nismë dështoi për shkak se mjekët nuk kanë nevojë vetëm për stimuj financiar, por edhe për kushte më të mira pune.
“Largimi i mjekëve nga vendi nuk është vetëm çështje pagash. Mjekët duan kushte pune, duan mjete diagnostikuese dhe kuruese. Duan kushte për t’u rritur në karrierë. Duan besim më të madh nga ana e pacientëve. Ka një krizë shumë të madhe besimi mjek-pacient. Një milet që mendon se vetëm mjeku e ka fajin. Në vendet e zhvilluara nuk ka njerëz që kanë dëshirë të bëhen mjekë. Se mjekësia kërkon të sakrifikosh nga vetja”, shprehet zoti Brahimaj.
Sipas Together for Life, specialitetet që kanë më shumë mungesa janë mjekët reanimatorë, kardiologë, neurologë, obstetër dhe kirurg. Ndërsa spitalet më problematike duket se janë Burreli, Bulqiza dhe Berati. /m.g/
Shkrimi i plotë: Shoqata Together for Life