Paratë e prindërve mbajnë hapur kopshtet publike të Tiranës
Një investigim i BIRN në disa kopshte të Tiranës, të rikonstruktuar së fundmi ose jo, rezulton se janë pikërisht prindërit e fëmijëve ata që mbajnë në këmbë mirëfunksionimin e kopshteve publike.
Përveç pagesës mujore të vendosur nga pushteti vendor, prindërit blejnë për fëmijët e tyre paketën e kancelarisë, pasi ajo nuk buxhetohet nga asnjë institucion si dhe paketën higjienike, pasi pushteti lokal mbulon vetëm detergjentët larës për dyshemenë dhe sapun për duart. Një pjesë e madhe e prindërve çojnë në kopsht edhe jorganët, batanijet e çarçafët, e në shumë raste duhet të paguajnë edhe për rojën apo edhe për organizimin e aktiviteteve me rastin e festave të fundvitit apo 7-8 marsit, shkruan BIRN.
Një nënë e dy fëmijëve, Ina Kasimati, ka shpjeguar për BIRN se një pjesë të rrogës si mësuese po ia merr çdo muaj kopshti nr. 22 ku ka djalin 4-vjeçar.
“Në kohën e verës, kur po bëheshim gati për në kopsht, dëgjova mesazhet e kryetarit të bashkisë dhe po më dukej një nisje e mbarë. Por kur shkova në kopsht kam mbetur e surprizuar nga kërkesat e përditshme [dhe ato] mujore që ne duhet të plotësojmë,” shprehet Kasimati.
Ajo tregon se në mbledhjen e parë drejtoresha i prezantoi prindërit me nevojat që ka kopshti, ku përfshihen paketa e kancelarisë, pagesa prej 1 mijë lekësh të reja për rojën, nevoja për letra të lagura, letra të thata dhe sapun. Kasimati thotë gjithashtu se prindërve iu është sugjeruar të sjellin edhe batanije, çarçafë dhe jorganë, pasi kopshti nuk i ka të asaj cilësie që mund të mbajnë ngrohtë fëmijën.
Ajo nuk është e vetmja. Shumë prindër përballen me pagesa ekstra në kopshtet publike. Këto kërkesa thuajse janë legjitimuar në të gjitha kopshtet që administrohen nga bashkia Tiranë, të cilët me gjithë investimet e bëra, vazhdojnë të kenë mungesa në infrastrukturë, mobilie të amortizuara, mangësi mjetesh didaktike, ngrohje të papërshtatshme dhe paketë higjienike që le për të dëshiruar. Për të mbuluar këto mangësi, drejtuesit e kopshteve u drejtohen prindërve.
Një tjetër problem shqetësues i kopshteve në Tiranë është sistemi i ngrohjes në dimër dhe ftohjes në verë.
BIRN shkruan se në kopshtin nr. 25 kaldaja doli jashtë funksionit për shkak të ngricave të fillim vitit (depozita e ujit ngriu duke e dëmtuar kaldajën, pasi ndodheshin në të njëtin ambient) dhe fëmijët u grupuan për disa ditë me radhë në klasa të përbashkëta, të cilat ishin pajisur me kondicionerë, të blerë edhe ata me paratë e prindërve nga dhurimet e viteve të mëparshme.
Por vetë drejtuesit e kopshteve thonë nën zë se problem i vërtetë nuk është dimri, por vera.
“Të gjitha mediet interesohen vetëm në dimër, por ta dini ju se ç’bëhet në verë? Atëherë është tmerr. Sepse tani kemi kaldajë, kurse në verë s’ka sistem ftohjeje dhe thuajse të gjitha kopshtet rrihen gjatë gjithë ditës nga dielli. Vera është një tmerr i vërtetë”, thotë njëra prej punonjësve të kopshteve publike.
Shumë prindër janë të kënaqur me stafet që menaxhojnë kopshtet e Tiranës, por megjithatë ato fajësojnë bashkinë për mungesat në bazë materiale.
Në fakt, dhurimet e prindërve shkojnë edhe përtej këtyre nevojave bazike. Në kopshtin nr.1, për shkak të mbipopullimit prindërit kanë blerë vetë edhe karriget e fëmijëve të tyre, apo detyrohen që çdo fundjavë të shkojnë në shtëpi të ngarkuar me çarçafë, batanije e deri jorganë se lavanderitë e kopshteve funksionojnë rrallë.
Përkundër pretendimit të prindërve, bashkia e Tiranës thotë për BIRN se kopshtet dhe çerdhet furnizohen rregullisht me materiale të buta.
“Çerdhet dhe kopshtet janë furnizuar me materiale të buta (çarçafë , kuverta, jastëkë, peshqirë, mbulesa tavoline etj, ) sipas kërkesave të ardhura prej tyre. Aktualisht ata kanë në përdorim një furnizim të ri me shumë cilësi,” thotë bashkia.
Nga Esmeralda Keta | BIRN