Punonjësit shqiptarë ndër më të shëndetshmit fizikisht në Evropë, por jo shpirtërisht
Në një sondazh të zhvilluar nga Komisioni Evropian për kushtet në vendet e punës, punonjësit shqiptarë meshkuj kanë raportuar një shëndet të mirë fizik, të katërtit në Evropë.
Nëntë në dhjetë meshkuj shqiptarë kanë deklaruar shëndet të mirë, ose shumë të mirë, nga tetë në dhjetë punonjës që është mesatarja për Evropën. Përpara Shqipërisë në listë javë vetëm Zvicra Greqia dhe Qipro. Renditja është disi më e ulët për punonjëset femra, konkretisht tetë në dhjetë femra kanë shëndet të mirë ose shumë të mirë. Më dobët nga ana shëndetësore raportohen punonjësit e Letonisë, Estonisë, Lituanisë, Italisë, Portugalisë, Serbisë.
Sipas raportit, statusi shëndetësor i individëve është një faktor i fortë përcaktues në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës.
Por pavarësisht se punonjësit shqiptarë raportojnë se gëzojnë shëndet të mirë fizik, ata nuk janë optimistë dhe me humor të mirë. Pjesë e studimit janë edhe aspektet si ‘humori pozitiv’ ‘vitaliteti’ dhe ‘interesi i përgjithshëm’ në punë. Indeksi varion nga 0 në 100 dhe Shqipëria ka renditjen më të dobët nga vendet e raportuara, me 60 pikë, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.
Në rajon, punonjësit e Maqedonisë rezultojnë që kanë një nivel më të lartë të mirëqenies subjektive, duke u renditur të tretët në Evropë. Më mirë në këtë indeks janë Spanja dhe Republika Çeke.