Kledisi, mbledhësi i mbetjeve që pas gjobës dhe sekuestrimit kërkon ndihmë nga kryebashkiaku
Kledis Hysa është 32 vjeç, baba i dy fëmijëve. Mamaja e tij ishte në protestën e sotme kundër ndalimit të mbledhjes së mbetjeve, me një fletë gjobe dhe një deklaratë në dorë.
Ajo tregon si djalit të saj, ish-përdorues i heroinës prej 18 vjetësh, iu sekuestrua karroca me 20 bidona plastikë dhe iu vendos një gjobë prej 50 mijë lekësh nga policia bashkiake.
“Kazanët mos të mbyllen, djali im trajtohet me metadon sepse ka varësi nga heroina e nuk është i aftë për asnjë punë tjetër. Punonte aty, mblidhte bidona për të ushqyer fëmijët”, tregon ajo me lot në sy.
Ajo mban në dorë gjobën që ka marrë djali i saj dhe thotë se nuk ka asnjë mundësi ta paguajë. Në përshkrimin e kundravajtes që shoqëron gjobën thuhet: “Dëmtim i pronës së bashkisë. Duke nxjerrë jashtë kazanave mbeturinat dhe duke dëmtuar kazanët me mbetje të paligjshme.”
Kledisin, të cilit jeta nuk i ka dhënë mundësinë të mësojë shkrim e lexim, e kanë akuzuar për kundravajtjen e çuditshme “dëmtues i kazanëve me mbetje të paligjshme”, dhe i kanë kërkuar të firmosë mbi një letër që nuk ka ditur ta lexojë.
Me ndihmën e të afërmve, ai ka shkruar një deklaratë drejtuar kryetarit të bashkisë, ku i kërkon nxjerrjen nga pika e bllokimit të karrocës që është pronë e firmës së grumbullimit për të cilën ka punuar. Veç gjobës atij i duhet të dëmshpërblejë edhe firmën e grumbullimit që kërkon ose karrocën ose 100 mijë lekë të vjetra.
Kledisi është vetëm një prej 3500 kolektorëve që sigurojnë jetesën duke mbledhur mbetje të riciklueshme e duhet të përballen përditë me frikën e sekuestrove dhe gjobave nga policia bashkiake.
/l.k./
Deklarata e plotë e Kledis Hysës:
Gjoba e vendosur ndaj Kledis Hysës: