Si do ndikojë ligji i ri italian tek 25 mijë shqiptarët e punësuar në call center?
Senati italian miratoi dy ditë më parë ndryshimet në ligjin për buxhetin 2017, pjesë e të cilit ishte edhe ai për shërbimet call center. Hyrja në fuqi e këtij ligji pritet t’i sjellë probleme kompanive që e ushtrojnë këtë aktivitet jashtë Bashkimit Evropian në vende si Shqipëria ku numërohen rreth 800 kopani call center me mbi 25 mijë të punësuar.
Cilat janë masat që parashikon ligji i ri italian për call center?
- Çdo operator ekonomik që vendos të lokalizohet në një vend që nuk është anëtar i BE-së, duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin dhe numrin e punonjësve tek organet përkatëse. Mosnjoftimet apo vonesat do të sanksionohen me gjoba deri në 150,000 euro.
- Çdo operator, përfshirë edhe ata që janë tashmë të delokalizuar, duhet ta përfundojë njoftimin jo më shumë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Nëse ky detyrim nuk zbatohen masat administrative shkojë deri në 10,000 euro për çdo ditë vonesë.
- Ligji i ri parashikon përjashtimin nga lehtësirat fiskale të çdo kompanie që është vendosur jashtë BE.
- Në ligj parashikohet edhe e drejta e subjektit për tu informuar rreth vendit nga i vjen thirrja. Kjo masë do të jetë e detyrueshme 90 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe moszbatimi i saj do të shoqërohet me sanksion administrativ prej 50.000 euro për çdo ditë të shkeljes së ligjit.
- Moskomunikimi me Ministrinë e Punës në lidhje me identifikimin e vendndodhjes së kompanisë do të shoqërohet gjithashtu me gjobë deri në 50,000 euro.
Sa rrezikohen kompanitë call center që operojnë në Shqipëri?
Blenard Daci, drejtues i një prej kompanive Call Center, tha për Report TV se ndryshimet në ligj kanë qellim të disiplinojnë vetëm aktivitetin e kompanive që operojnë me fonde të dhëna nga shteti italian. Ndërsa kompanitë shqiptare i kanë përshtatur prej kohësh rregulloret me ligjet e Bashkimit Evropian.
“Këto ditë kam parë lajmet dhe njerëz të njohur ose jo pak të njohur, janë në pak sa i takon të ardhmes së këtij sektori. Në bazë të informacionit që kemi mbi ligjin, është një gjë që prek fare pak ose aspak punën tonë, konkretisht kompaninë tonë e cila është me kapital shqiptar. E thënë mbi atë që trajton ligji, bëhet fjalë për aktivitetin e atyre kompanive italiane të cilat marrin fonde apo subvencione nga shteti italian për punësimin, mund të ketë vështirësi për aplikim në momentin kur do fillojë zbatimi i këtij ligji. Kompanitë të cilat punojnë, normalisht nuk do të ketë asnjë lloj problemi”, u shpreh Daci për Report Tv.
Ndërsa operatorë të tjerë shprehen se ndryshimet në ligj do të krijojnë vështirësi në rritjen e këtij sektori.
Agron Shehaj, administrator i Intercom Data Service the për Monitor se në Shqipëri sektori do të shkojë drejt tkurrjes në rastin më të keq, në rastin më të mirë nuk rritet, ose do të zgjerohet më me vështirësi.
Znj. Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, kompania më e madhe call center në Shqipëri, sipas të ardhurave tha për Monitor se “Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së”, thotë ajo.
/l.k./