Si jeton gruaja në Shqipëri, në mes të ‘dhunimit’
Shkruar nga: Arnida Çapi
Mes indinjatës dhe dhimbjes për ngjarjet e kronikës së grave të vrara nga burrat e tyre, mendoj se ka ardhur koha e trajtimit seriozisht të gjendjes së femrës shqiptare. Nuk e di nëse ai burri në Fier do ishte në gjendje të vriste një burrë tjetër me të njëjtën mendje kriminale, por ai, forcën e nënshtrimit ndaj gruas e çoi deri në marrjen e jetës së saj.
Të dashura vajza, mos lini të dashurit tuaj t’ju trajtojnë me mosrespekt ndaj dinjitetit tuaj. Kam parë djem, te rinj, që ndalojnë në rrugë apo qoshe rruge të dashurat e tyre e i hakërrehen sikur i kanë pronë dhe ato justifikohen me ngashërim sikur i kanë jetën në dorë. Ajo sakrifikon. Sakrifikon veten për marrëdhënien.
Nuk është dashuri marrëzia me të cilën ajo nuk respekton veten me atë lloj trajtimi. Është sakrifikim. E pse? Sepse në mes frikës dhe paragjykimit ajo s’arrin të jetë dot vetja, të dalë nga stereotipi idiot i nënshtrimit ndaj mashkullit, të përmbushet e pavarur dhe të plotësohet me respekt.
Ajo eshte vajza e hijes autoritare të babait dhe ka parë si e ëma heshtte kur fyhej e ndonjëherë kur pasi bërtiste “mos!”, pritej vetëm heshtja që të mbyllej sherri.
Ai është djali i nënës që gatuan vaktin, gjatë të cilit merr ndonjë fyerje të pavend, në vend të një falenderimi. Ata mësuan të heshtin kur zëri i nënës së tyre thërriste për ndihmë edhe pse nuk foli; edhe pse nuk kërkoi të dëgjohej, ajo shpresoi se dikush do e dëgjonte, se do shpëtohej. Fëmijët ishin sakrifica e gruas dhe gëzimi pas çdo vuajtjeje, familja ishte misioni i saj.
Ashtu, vajza dëgjon e trembur të dashurin në rrugë e duron histerinë e tij duke u përpjekur të “shpëtojë” marrëdhënien. Ndërsa djali, edhe nëse s’do të donte, sërish në mes gabimesh, mësoi modelin e mashkullit që burrërohet sepse ka forcën e fjalës e dorës ndaj femrës. “Boll” dhe ajo pushon! “Te çova te jot’ëmë” dhe ajo e pranon, edhe si shaka që s’të bën të qeshësh.
Ai, ajo, ata jam unë, jemi të gjithë ne!
Ata që dëgjojnë ulërimën e gruas që hidhej e kishin dëgjuar më parë kur ai e rrihte, dhe ajo e denoncoi. Pallati dëgjonte, gratë pinin kafetë e lagjes, burrat mendonin se pale ç’faj kishte bërë gruaja që rrihej. Komshinjtë që nuk përzihen në punët e çiftit janë bashkëfajtorët e parë në vrasje, policët, gjykata që nuk detyroi largimin e dhunuesit nga banesa.
Pastaj është burri që hodhi nga pallati gruan. I thonë: kafshë… Dhuna është si gënjeshtra: Nga ato të këqijat që edhe po tolerove dhe pak, mjafton për të qenë më keq. Ai, “kafsha” jemi sërish ne nëse nuk distancohemi me forcën e fjalës, gjestit, reagimit, lëvizjes. Nuk mund të jetojmë të heshtur në një vend ku vriten gra nga burrat e tyre!
Të rrisim edukimin e respektit ndaj femrës, jo si një viktimë por si gjysma e shoqërisë, si gjysma e gjithçkaje; t’i themi asaj vajzës në rrugë që mos të lejojë askënd t’i cënojë dinjitetin, sepse aty nis dhuna. Dhe për asgjë nuk ia vlen shkëmbimi i sakrificës. Shoh që disa postojnë në statuse reagimet e tyre kundër dhunës ndaj gruas. Është e rëndësishme të reagojmë më shumë për të ndryshuar gjendjen e gruas shqiptare./A.A.