“Të jetosh mes dhunës dhe kërcënimeve për jetën”
Dhjetra gra qëndrojnë brenda mureve të shtëpisë nën tmerrin e dhunës së përditshme. Pjesë e dhunës në format më monstruoze të saj janë shpesh dhe fëmijët, teksa dëmet psikologjike që kjo sjell tek këta të fundit janë të pariparueshme.
Ky është një nga ato rrëfime të hidhura të një jete e cila ulëret dhimbje, padrejtësi dhe nëpërkëmbje.
Zonja me iniciale M.S nga Shkodra ka një histori dhune të cilën e përjeton prej vitesh brenda mureve të shtëpisë së saj. Ajo është nënë e katër fëmijëve, ndër të cilët, më i madhi 19 dhe më i vogli 12. Dhunuesi është bashkëshorti, babai i fëmijëve të saj.
E përkulur, me zërin që i dridhet ajo tregon:
“Kur u njoha me ish bashkëshortin, isha 15 vjeç. U fejova me shkuesi sepse e tillë ishte koha, po që në fillim vura re që dicka tek ai nuk shkonte. Ishte i ftohtë, i vrazhdë, më fajësonte për gjithcka. Ishte shumë më i madh se unë, nuk qeshte kurrë dhe më ngjallte frikë.
Përpara se të martohesha, ishte një moment në të cilin desha ta ndaj, por familja ime, vëllezërrit e mi nuk më lejuan sepse i vriste opinioni”.
Dhe ndërkohë që pyetet nëse është dhunuar që në fejesë ajo vazhdon:
“Nuk jam dhunuar para martese, edhe pse sillej ftohtë dhe ashpër. Dhuna mbi mua, ka filluar pas martese dhe sidomos pas lindjes së fëmijës së parë. Fjalët e tij: Ti nuk je grua për mua. Un e di si të kam gjetë ty…e të tjera si këto më vritnin, ndërkohë që unë kur e mora as që e kuptoja jetën, martesën dhe përgjegjësitë familjare. Nuk isha e përgatitur për cfarë më priste. Isha mësuar me punët e shtëpisë, rregullin, dhe me idenë që gruaja duhej t’i bindej burrit. Për këtë arsye vazhdoja jetën me të, dhe cdo herë që duroja fyerjet dhe veprimet e dhunshme ndaj meje, ato shtoheshin.
Veprimet e dhunshme nuk i kursente as ndaj djalit tonë, i cili po rritej jo vetëm duke parë nënën e tij të dhunohej, por po dhunohej edhe vetë.
Ndërkohë, gruaja e dhunuar vazhdon rrëfimin.
Ndërsa vitet kalonin, lindi djali i dytë dhe më pas vajza e cila ishte viktima e tij më e “parapëlqyer”. Ai jo vetëm që e dhunonte fizikisht, por një herë kishte aluduar dhe veprime të tilla të cilat nënkuptonin një natyrë abuzuese. Dhuna fizike dhe fyerjet ndaj saj të tilla si: “ti je prostitutë” kur ajo donte të dilte me shoqet apo presionet e vazhdueshme arritën në pikën që ajo të tentonte të vriste veten.
“Jam e shqetësuar për djalin e vogël”, vazhdon ajo.
“Ai flet shumë pak, është i mbyllur në vete, ka frikë dhe probleme në komunikimin me njerëzit”. Ajo është e vetëdijshme që dhuna e asistuar në të cilën ai ka qenë i pranishëm për vite me radhë, e ka dëmtuar emocionalisht.
Ajo tregon se më në fund e mori vendimin për t’iu drejtuar gjykatës.
Arsyeja ishte dhuna dhe kërcënimi për jetën, që ish bashkëshorti dhe babai i fëmijëve të saj në gjëndje totalisht të dehur ushtroi mbi ta. Me ndihmën e përfaqësuesit ligjor, ajo iu drejtua organeve të rendit ku denoncoi dhunën dhe ku njëkohësisht kërkoi dhe zgjidhjen e martesës.
Aktualisht ajo jeton në banesën e dikurshme bashkëshortore, dhe është një ndër rastet e suksesit në të cilat dhunuesi është detyruar të largohet nga banesa.
Historia e kesaj gruaje ngjason me shumë histori të tjera dhune në qytetin e Shkodrës, ku shkaqet e dhunës mbi vikitimat nuk i gjejmë vetëm tek mentaliteti dhe formimi përmes një kulture të dhunshme, por edhe në faktorë të tjerë, sic janë përdorimi i alkoolit apo lojrat e fatit.
Duke përmbyllur, kjo grua falenderon organet e rendit dhe drejtësisë për mbështetjen duke vijuar:
“Kultura në të cilën ne jemi rritur, ajo që nënat tona na kanë mësuar është të durojmë, të mbajmë përgjegjësitë e familjes dhe t’i përshtatemi burrit, sido që ai të jetë. Unë sot nuk them kështu. Kam një vajzë, e cila ka moshën që unë kisha kur më fejuan, të cilën e mbështes në pëpjekjet për t’u shkolluar dhe për të krijuar pavarësinë e saj në jetë. Unë nuk kam vazhduar studimet, dhe as nuk kam punuar. Besoj se kjo më shtynte të isha e varur prej tij.”
Pastaj vështron me krenari djemtë dhe vazhdon:
“Edhe pse unë nuk punoj, sepse është e vështirë për një grua të moshës sime, pa arsimin e lartë të gjejë punë në ditët e sotme…djemtë e mi punojnë. Mundohem t’i mbështes dhe të jem pranë tyre në cdo hap. Është detyra dhe përgjegjësia ime, që ata të rriten të zotët e vetes” Ajo tashmë është e bindur se ata do të jenë burra më të mirë, se ai që i ka dhunuar brënda mureve të shtëpisë. /A.A.