Skenarët e ndryshëm të ballafaqimit me dhunën
Shkruar nga: Albesa Aliu
Një shoqëri që e promovon dhunën, i vuan pasojat e vazhdimit të këtij rrethi te pafundshëm, duke e dëmtuar shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve të saj.
Për të kuptuar funksionin e sjelljeve të dhunshme duhet të shikojmë zhvillimin e tyre, i cili nis qysh herët në fëmijëri. Shumë herët, si fëmijë shohim si dhuna përdoret si mjet për të kontrolluar dhe bartur mesazhe që nuk përçohen lehtë. Por, një pikë është e qartë: dhuna prodhon dhunë. Kur ti e godet dikë; përveç lëndimit fizik dhe mendor që krijon tek individi, gjithashtu fuqizon instiktin e tjetrit për t’iu përgjigjur sulmit në dhunë fizike si vetëmbrojte.
Në këtë formë, duke ushtruar dhunë, fuqizojmë një rreth të pafund që krijon dhunë të pandërprerë, duke e parë forcën fizike si opsionin më të fuqishëm për të ballafaquar tensionet. Një shembull praktik, kur kushtëzojmë një fëmijë duke i thënë “bëje ose të rraha”, mesazhi që dërgojmë thekson se kjo është mënyra më e fuqishme për të tejkaluar situatat. Përveç shfaqjes së fuqisë, shpesh herë prindërit veshin një qasje që ofron mesazhe të përziera. Për shembull, nëse duke ushtruar dhunë e adresoni fëmijën tuaj që të mos lëndojë motrën apo vëllain, nuk është e rëndësishme ajo që thua, por ajo që shfaq. Kështu riforcojmë idenë se dhuna është ajo që i shtyn mesazhet dhe sjell rregull. Duke harruar se është dhuna ajo që i shtyn problemet mentale dhe fizike me pasoja afatgjate tek individi, duke krijuar një rreth të pandalshëm e të dhunshëm në shoqëri.
Është për t’u theksuar në shoqërine tonë, gratë dhe vajzat janë grupi që i vuan më së rëndi pasojat. Në këtë pikë, shpesh herë ndërthuret një dallim gjinor – ku vajzat dhe gratë nuk kanë të drejtë të vetëmbrohen, apo kushtëzohen të mos raportojnë rastet e tilla. Mes tjerash, shpeshherë njerëzit e afektuar nga dhuna kanë tendenca të ambientohen me këto rrethana për shkak të efektit që frika dhe dhimbjet kanë në trurin e njeriut. Njëkohësisht ato mësohen me këtë realitet dhe nuk janë të vetëdijshme se mund të jetojnë pa presionin dhe dhunën që ushtrohet mbi to. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, krijohet përceptimi se ato nuk mund të largohen nga situata të tilla. Andaj, shpesh herë këto gra duhet të konsultohen gjatë, që ta kuptojnë realitetin të cilin e përjetojnë dhe t’i trajtojnë efektet e dhunës. Një skenar i tillë që ndodh në një numër të konsiderueshëm edhe tek familjet kosovare është dhuna e ushtruar e cila mbetet e heshtur dhe e pa raportuar. Madje, janë të shpeshta tryezat e policisë dhe organizatave duke raportuar zbritje të numrit të dhunës në familje. Rezultate të këyre statistikave të policisë jo gjithmonë reflektojnë realitetin, e sidomos, në shumë zona rurale ku informimi ndaj raportimit të dhunës është i mangshëm.
Kur jemi tek raportimi i dhunës, një faktor i rëndësishëm është besimi në institucione. Një shembull personal nga jeta ime në Athinë të Greqisë, afër shtëpisë ku jetoj, dhuna nga anarkistët drejtuar policisë është e përditshme. Madje, vetë jam kërcënuar fizikisht përderisa po bëja hulumtim. Edhe pse policët ndodheshin afër, nuk pata besim ta raportoja këtë rast pasi që policët nuk kanë dëshmuar fuqi ndaj këtyre abuzuesve. E njëjta vlen për strukturat e drejtësisë në Kosovë, të cilët duhet të dëshmojnë se rastet e tilla trajtohen në mënyrë efikase dhe jo duke lëshuar deklarata se rrahja e një vajze të mitur nuk është një vepër shumë e rëndë. Kur institucionet e drejtësisë dëshmojnë efektivitet, kjo do të thotë se qytetarët do të jenë të zëshëm për të raportuar këto raste. Duke raportuar, qytetarët kontribuojnë në parandalim të dhunës duke mbikëqyrur sjelljet jo adekuate të njëri-tjetrit. Është dashur shumë kohë deri në vitet 90-të, që shkencëtarët ta kuptojnë që të ushtruarit dhunë ndikon negativisht në shëndetin mendor dhe fizik të njeriut.
Një praktikë e mirë e iniciuar në Kosovë është programi Kundër Dhunës së Familjes që përbëhet nga një numër i madh organizatash jo-qeveritare dhe institucionesh shtetërore. Megjithëse, programi i veprimit është i detajuar, ai duhet të gjejë zbatim në të gjitha vendbanimet e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që gjatë planifikimit të aktiviteteve të përfshihen të gjitha vendbanimet në mënyrë sistematike. Gjithashtu, të ofrohet mundësi që gratë e prekura nga dhuna të marrin pjesë — duke i bërë sesionet informuese praktike, qoftë edhe nëse ato përfshijnë inicim të debatit mes grave të një lagjeje.
Në anën tjetër, nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra që ka të bëjë me dhunën në familje, Policia e Kosovës e ndalon te dyshuarin për 48 orë në pajtim me ligjin. Si pasojë, shpesh herë personit që ka raportuar dhunën i krijohet një situatë që e bën të ndihet i kërcënuar dhe pa mbrojtje ligjore pas raportimit, kështu duke dekurajuar raportimin në rast të dhunës së përsëritur. Mangësi të tilla duhen të adresohen në strategji parandaluese dhe të gjenden opsione alternative për mbrojtje të viktimave.
Ka mënyra të shëndetshme dhe jo të shëndetshme për të zgjidhur konfliktet. Na mbetet neve në dorë që të vendosim. Kur fillojmë të besojmë se qasja e dhunshme duhet të zëvendësohet me një qasje paqësore, atëherë mund të shpresojmë për një shoqëri të sigurtë dhe të shëndoshë për të jetuar. Gjithsesi, qëllimi nuk është vetëm të mësojmë të mos jemi të dhunshëm, por të mos e riforcojmë mendimin se dhuna është përgjigjja, sepse nuk kemi lindur të dhunshëm, por është një metodë që e kemi fuqizuar si shoqëri, dëmet e të cilës janë afatëgjate dhe e pengojnë zhvillimin tonë./A.A.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në: sbunker.net