“Babai tha se do ta mohonte, nëse një nga fëmijët e tij do të ishte gej”
Një djalë gej ka folur për përvojën e tij traumatike kur i doli hapur të babait të tij- dhe se si të dy mësuan ta duan njëri-tjetrin.
Cesar Pina nga New Yorku e filmoi historinë e tij si pjesë e projektit mediatik LGBT “I’m From Driftwood” (Unë jam nga Driftwood), një arkiv që synon të ruajë historitë dhe historinë e personave LGBT, për të nxitur mirëkuptimin dhe pranimin.
Z. Pina shpjegoi: “Rreth 10 vjet më parë, duke bërë një ekskursion me familjen midis të rriturish, ndërkohë që unë isha një adoleshent u hap një bisedë në lidhje me fëmijët dhe seksin dhe u fol edhe për seksualitetin. Dhe unë dëgjova babanë tim të thoshte: “Nëse ndonjëri prej fëmijëve të mi do të ishte gej, unë do ta mohoja.”
Ai e fshehu seksualitetin e tij prej babait për vite të tëra, duke u përpjekur që ta mbante diçka private.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në fillim të këtij viti.
Cesar kujton: “Para disa muajsh, isha në shtëpi dhe më vjen një mesazh nga babai. Mesazhi ishte për të gjithë familjen, dhe thoshte se donte të takohej për një darkë familjare. Dhe darka familjare ndodhi.
“Ishim të gjithë të ulur në tryezë dhe të gjithë ishim gati të bënim këtë diskutim familjar për të cilin babai na thirri.
“Pra, ai fillon të flasë se si dëshiron që gruaja e tij aktuale dhe ish-gruaja e tij të shkonin mirë bashkë. Nuk jam i sigurtë se si mund të funksionojë kjo gjë. Ai dëshiron që ne të respektojmë motrën tonë që po bëhet grua. Dhe pastaj pika e tij e fundit nuk kishte lidhje me të, ishte thjesht kalimi i fjalës tek unë.
“Babai më sheh mua në anën tjetër të tryezës dhe thotë:” Cjay, ke ndonjë gjë për ti thënë familjes? ”
“Ka një pauzë të gjatë. E tërë vëmendja kaloi tek unë dhe unë them: “Dakord. Unë jam biseksual… dhe pamja e të tërëve ishte e shokuar.”
Edhe pse familja e tij u trondit, baba i tij nuk e përmendi më këtë gjë deri tre javë më vonë, kur ai e mori veçmas në një darkë familjare.
Z. Pina shpjegon: “Përfundova së ngrëni, e ndoqa pas në dhomën e tij, e mbyllëm derën dhe ai më thotë, “Unë dua të të kërkoj falje për çdo keqkuptim, çdo ndjenjë të keqe, çdo gjë që mund të japë një ndjesi negative.”
“Dhe unë i thashë,” Nuk kam asgjë negative, asgjë për të zgjidhur. Unë e di pse bëre atë që bëre. Unë jam i kënaqur që mund të vazhdojmë jetën pa probleme.”
Ai më thotë: “Unë i dua të gjithë fëmijët e mi në mënyrë të barabartë. Nuk po të trajtoj ty ndryshe. Ju jeni të veçantë për mua. Të gjithë fëmijët e mi. Por ti, unë kam arritur të rritem me këtë gjë dhe ti duhet të kuptosh se është e vështirë për mua. Është e vështirë për një baba. Është e vështirë për një burrë”.
“Kështu ai më kërkoi falje. Ishte tronditëse për mua të shihja babain të më thoshte duke qarë: “Më vjen keq, të dua biri im.”
“Dhe është bukur të shoh burrin e fuqishëm brenda një babai të qajë mbi shpatullat e mia. Me të vërtetë, më tregoi më shumë se kush është ai. Kjo tregon se ai ka një zemër dhe një vend të butë dhe se ai mund të ndryshojë.”/A.A.