OKB bën thirrje për dekriminalizimin botëror të homoseksualitetit
Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje që ligjet që kriminalizojnë veprimtarinë seksuale konsensuale brenda të njëjtit seks të shfuqizohen në mbarë botën.
Në raportin e ri, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Raad al-Husein ka thënë se personat LGBT janë viktima të “abuzimit të dhunshëm, ngacmimit dhe diskriminimit” në të gjitha rajonet e botës, duke përmendur me qindra vrasje të lidhura me urrejtjen, raporton The Guardian.
Z. al-Hussein shtoi se, ndërsa është bërë progres që nga raporti i parë historik i OKB-së për të drejtat e personave LGBT globalisht në vitin 2011, përparimet janë lënë në hije nga persekutimi i vazhdueshëm i sponsorizuar nga shteti dhe sulmet e bëra kundër tyre.
Ai thotë se vetëm në vitin 2012, 310 vrasje të dokumentuara kanë ndodhur në Brazil, “ku motiv ishte homofobia apo transfobia”, ndërsa projekti i monitorimit për vrasjet e transgjinorëve ka shënuar 1,612 vrasje në 62 vende nga viti 2008 deri në vitin 2014.
Sipas raportit, të paktën 76 vende kanë ligje kundër homoseksualitetit që përdoren për të kriminalizuar dhe përndjekur njerëzit në bazë të orientimit dhe identitetin gjinor ose shprehjes së tyre seksuale.
Raporti bëri 24 rekomandime, duke bërë thirrje për të gjitha shtetet në të gjithë botën që të dekriminalizojnë aktivitet seksuale konsensuale brenda të njëjtit seks midis të rriturve, të ndalojnë terapinë e ‘kurës gej’ dhe sterilizimin e detyruar të personave transgjinorë, dhe të nxjerrin legjislacion për të mbrojtur personat LGBT nga gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit.
Ai gjithashtu i bëri thirrje shteteve për ti dhënë njohje ligjore çifteve të të njëjtit seks dhe fëmijëve të tyre – duke nënkuptuar, por jo duke deklaruar, barazinë martesore- si dhe të sigurojnë edukimin seksual për të gjithë sipas moshës përkatëse, të garantojnë azil për çdo person LGBTI, jetët e të cilëve mund të jenë në rrezik për shkak të seksualitetit të tyre, dhe ti japin fund kontrolleve të detyruara gjenitale dhe anale për të “provuar” nëse dikush është LGBT./A.A.