Gratë në Kosovë ende kanë frikë të kërkojnë trashëgiminë
Shkruar nga: Die Morina
Ajo ka mbushur 70 vjeç tani, por për vite ka jetuar ose me shoqërinë – ose kur ka mundur ta përballojë – ka marrë me qira apartamente. Gruaja nga Shtimje, e cila nuk pranoi të jepte emrin, po lufton për të drejtën e saj për të jetuar në shtëpinë ku u rrit. Pasi prindërit i vdiqën, si grua e pamartuar, vëllai i saj e përzuri në vitin 2000. Pas një gjyqi që zgjati 15 vjet, gjykata më në fund vendosi në favor të saj vitin e kaluar. Pavarësisht vendimit të gjykatës, vëllai i saj nuk e ka lejuar ende të kthehet në shtëpinë që supozohet ta kenë së bashku.
Ajo i ka kërkuar Avokatit të Popullit në Kosovë ndihmë, me shpresën se pas gjithë këtyre viteve, ajo mund të kthehet atje ku mendon se e ka vendin. Ajo kishte edhe një mundësi tjetër, të merrte policinë dhe me ndihmën e tyre të hynte në shtëpi – por kjo mundësi iu duk shumë ekstreme. Ajo është në fakt, një nga të paktat gra të Kosovës që shkojnë në gjykatë për të kërkuar pjesën e tyre të trashëgimisë. Ekspertët thonë se mentaliteti patriarkal e ka fajin për faktin që shumë gra në Kosovë heqin dorë nga të drejtat e tyre për të trashëguar pronë dhe asete që kanë tagrin t’i kenë. Megjithëse ligji në Kosovë thotë se gratë kanë të drejta të barabarta trashëgimie me burrat, OJQ-të thonë se mbetet një sfidë ndërgjegjësimi i grave për të drejta të tilla.
Në Kosovë, trashëgimia fitohet me ligj ose nga testamenti. Por kur nuk ka akte si testamenti, me ligj trashëgimtaret janë fëmijët e të ndjerit. Ligji i trashëgimisë në Kosovë i jep grave dhe burrave të drejta të barabarta për të trashëguar nga paraardhësit e tyre. Por gjithashtu parashikon që një trashëgimtar me vullnet të heqë dorë nga pjesa e trashëguar dhe deklarata të tilla të tërheqjes nga pasuria nuk mund të revokohen. Në shumicën e rasteve, edhe kur gratë kanë të drejta të plota për të trashëguar, ato ndjekin kodin «moral» dhe nuk e marrin pjesën e tyre, që të mos humbin respektin e familjes. Kërkimi i kryer në 20 gjykata komunash nga Lidhja e Avokatëve Norma, që është anëtare e Rrjetit të Grave në Kosovë, tregon se norma e trashëgimisë në Kosovë është 1:3 në disavantazh të grave.
Një kërkim i BIRN i korrikut 2016 gjithashtu zbuloi se vetëm 16 për qind e pronave në Kosovë janë regjistruar në emër të grave. Valbona Salihu, drejtore ekzekutive e Norma, theksoi se ndërsa ligji në Kosovë është ndër më të mirët në këtë fushë, nuk ka asnjë mënyrë për t’i detyruar gratë dhe burrat ta ndjekin atë. Sociologia Linda Gusia i tha BIRN se arsimi më i mirë do të ishte një hap përpara në arritjen e barazisë së vërtetë sociale dhe në emancipimin e grave. «Ky fenomen është pasojë e rendit patriarkal të shoqërisë sonë, sipas të cilit trashëgimtarët e familjes janë burrat dhe djemtë», tha Gusia. Salihu thotë se pabarazia e vazhdueshme mes burrave dhe grave në Kosovë reflekton nivelin e ulët të arsimit te gratë dhe mungesën e ndërgjegjësimit të mjaftueshëm për të drejtat e tyre ligjore.
Një tjetër rast i një gruaje të cilës iu mohua e drejta e pronës lidhet me Shukrie Berishën. Ajo më parë i tha BIRN se çështja e saj gjyqësore, që lidhej me të drejtën e saj për të mbajtur shtëpinë e burrit të ndjerë, ku kishte jetuar për 30 vjet, u zvarrit për 11 vite. Berisha e çoi kunatin në gjyq pasi ai pretendoi se ajo nuk kishte të drejtë të vazhdonte të përdorte pronën, pasi nuk kishte fëmijë. Pas 11 vitesh, Gjykata e Faktit në Prishtinë në prill të këtij viti i dha Shukrie Berishës të drejtën e pronës. Më në fund ajo mori pjesën e saj të shtëpisë.
Gjyqe të tilla mbi rastet e trashëgimisë shpesh zgjasin për vite sepse palët akuzuese përdorin plotësisht të drejtat e tyre për t’u animuar, duke shtyrë vendimin përfundimtar. Salihu thotë se OJQ-të duhet «të vazhdojnë të punojnë për të rritur ndërgjegjen e grave për të drejtat e tyre të garantuara». «Gjëja e parë që institucionet duhet të bëjnë është të heqin parashikimin ligjor ku një person mund të heqë dorë nga trashëgimia», përfundoi ajo./A.A.