“Tirana Parking”, paguaj dhe nuk merr asgjë në këmbim!
Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit “Tirana Parking”. Kjo do të thotë se qytetarët duhet të paguajnë për të parkuar në 71 rrugët kryesore të kryeqytetit. Aplikimi i tarifave duhet të ishte shoqëruar edhe me shpërndarjen e kartës së rezidentit, dokument ky që i jep të drejtë banorëve të parkojnë pa pagesë në zonat ku banojnë. Por shefja e burimeve njerëzore të “Tirana Parking” ka thënë sot (27 shtator) për ABC News se shpërndarja e kartave të rezidentit nuk ka filluar ende.
Veç problemit të vonesës në shpërndarje, informacioni i publikuar nga Bashkia e Tiranës nxjerr në pah të dhëna të tjera. Aty sqarohet se karta e rezidentit do të jetë falas vetëm për fazën e projektit pilot, që mbaron në datën 31 Dhjetor 2016, pra pas kësaj date qytetarët duhet të paguajnë edhe për të parkuar në zonën ku banojnë.
Çfarë do të përfitojnë qytetarët nga karta e rezidentit?
Në informacionin e publikuar nga Bashkia Tiranë thuhet se pajisja me këtë kartë nuk të jep të drejtën as të parkosh pa pagesë në rrugët kryesore e as të kesh një vend të personalizuar parkimi në lagje. Pyetja që shtohet thjeshtë është: “Përse duhet që qytetarët të paguajnë para, kur nuk marrin asnjë shërbim në këmbim?”
Për ta ilustruar më qartë po marrim shembullin e një banori të zonës “Shushica”, aty ku ka filluar edhe projekti pilot i kartës së rezidentit.
Një banor i bllokut “Shushica” që të marrë kartën e rezidentit duhet të dorëzojë:
1.Ϛertifikatë Familjare
2.Vërtetim Banimi
3.Kopje e çertifikatës së pronësisë ose kontratës së qirasë ose huapërdorjes.
4.Ϛertifikatë për vërtetim pronësie e makinës ose autorizim për përdorim automjeti
5.Leje qarkullimi e automjetit që do të pajiset me kartë rezidenti
6.Fotokopje e taksave vjetore të makinës
7.Fotokopje e faturës së UKT-së ose OSHE-së
Pasi ka plotësuar gjithë dokumentacionin ky banor pajiset me kartë rezidenti që i jep të drejtë të parkojë kudo në rrugët “Komuna e Parisit”, “Gjin Bue Shpata”, “Emin Duraku”, veç pjesëve të vijëzuara me blu (që zakonisht janë rrugët kryesore). Pra e thënë thjesht, Bashkia nuk po hap asnjë vend të ri parkimi, thjesht të detyron të paguash shtrenjtë për të parkuar në rrugët kryesore ose me lirë për t’u sorollatur deri sa të gjesh një vend parkimi në brendësi.
/l.k/