Plehrat dhe mafia/ Paralajmërimi që Saviano i dha Shqipërisë që në vitin 2011
Ligji për importimin e mbetjeve ishte parashikuar që në vitin 2011 nga shkrimtari italian Roberto Saviano. Gjatë një interviste të dhënë 5 vite më parë, ndër të tjera ai preku dhe temën e importit të mbetjeve duke thënë se shqiptarët duhet të kenë kujdes pasi në pak vite Shqipëria do të kthehej në një magazinë plehrash.
“Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash.
Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë.
Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bëni shumë kujdes!
Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznes për kombin shqiptar. Por nëse nuk është i kontrolluar, rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale. Kështu që bëni kujdes me këtë që po ndodh!
Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte”. /m.g/