Fëmijët e martuar në Malishevë do ndahen nga shteti
Fitimi 14 vjeçar nga Malisheva dhe Zelfija 13 vjeçare nga Suhareka, shpejt do të ndahen. Martesa e tyre që u bë rreth një muaj më parë tashmë do të marrë fund.
Mësohet se punonjësit socialë dhe policë të hetuesisë kanë shkuar për të marrë deklaratat e prindërve të fëmijëve që u martuan.
Këtë e konfirmon edhe Blerim Begaj, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Malishevës i cili thotë për lajmi.net se janë njoftuar me rastin dhe kanë filluar të merren me të.
Madje edhe Qendra Sociale në Suharekë po merret me ta, meqë vajza është nga ajo Komunë.
“Ne si Qendër do të shohim se si ka rrjedhur kjo martesë dhe se si janë marrë vesh ata, por zakonisht fajet i kanë prindërit që kanë lejuar një martesë të tillë. Sipas ligjeve në fuqi, çifti duhet ndarë. Vajza duhet të shkojë tek familja e saj, derisa të arrihet mosha madhore. Ne duhet të punojmë për këtë rast”, thotë ai.
Martesa e këtij çifti të mitur ka ndodhur para një muaji ndërsa sot janë publikuar pamjet. E në anën tjetër, psikologët e vlerësojnë si tragjedi e avokatët thonë se prindërit rrezikojnë deri 20 vite burg./A.A.