Për vajzat dhe guximin, gëzuar!
Shkruar nga: Jeta Berisha
Më janë dashur dy vjet për ta kuptuar që po dashuroja dikë që krijon probleme dhe që është problem. Sinqerisht, besoj që secila vajzë bashkëndjen me mua, së paku njëherë i është dhënë rasti ta njohë “problemin” nga afër.
Fillimisht para se të takoja atë, isha ajo vajza perfekte për të, s’kishte lënë njeri pa pyetur për mua, pastaj i pëlqente humori im, mendja ime, e posaçërisht fustanet e shkurta të cilat pas një kohe filluan të ishin problem dhe provokative për syrin e tij.- ups!
Si një tip më i hapur, më pëlqente të shoqërohesha me çdokënd, mendoj që njëri prej faktorëve më të rëndësishëm që ma ka ndihmuar të ngrihem në karrierë apo ta zgjeroj diapazonin tim të të menduarit është pikërisht kjo arsye, miqt’!
Mes miqsh, shumica ishin djem, derisa një ditë ata nuk ishin më miq…
“Shokë?! Kush të shikon ty si shoqe, mezi presin mundesinë e parë të të kenë në shtrat!”…
E lëmë edhe këtë, një person i dashuruar i beson verbërisht partnerit.
Ndonëse, unë s’do të duhej të kisha miq, atëherë as ai s’do të duhej të kishte mikesha! Pikë! U vulos kjo.
Madje, filloi të mendojë që gjithkush i njohur i tij mund të ishte një partner i ardhshëm potencial për mua, miqt’ e tij, familjarët etj etj…
“Normal që të shikojnë, kur ti zbulon prapanicën, vesh xhinse aq të ngushta, minifunde etj”...
Të them të drejtën kurrë më parë se kisha menduar që veshja ime zbulon seksualitetin tim deri sa takova atë, të dukesha bukur sipas tij ishte një ekspertizë për të fituar vëmendje, për të tërhequr djemtë apo për të krijuar rivalitet për të.
Jo çuditërisht, kur diçka e mërzitshme kalon në rutinë, aty lindin fillimisht mosmarrëveshjet, pastaj zënkat, britmat, piskamat.
Mes keqkuptimesh, unë nuk isha më femnistja që po ‘’pretendoja’’ të isha, ai ishte më “feminist” se unë, madje ma cekte shumë shpesh.
“Një feministe e kompleksuar, ndjen konkurrencë për çdo vajzë që ke afër…”.
Sa për komplekset, e them troç ja fuste kot, por për konkurrencën kishte të drejtë.
E ndjeja konkurrencën sa herë që më mbante për dore dhe i hidhte sytë si manjak seksi cdo vajze/gruaje që na kalonte para.
Po, e ndjeja konkurrencën sa herë që vajzat që pëlqente në rrjetet sociale ishin gjysmë lakuriqe, ndërsa po të postoja unë foto nga plazhi isha lavire.
Po, unë e ndjeja konkurrencën sa herë që isha personi i fundit që kuptonte për planet e tij, apo takimet e tij të fshehta me mikeshat. Ndonëse duhej të isha mikesha e tij e parë, mikesha e tij e jetës.
Po, unë ndjeja konkurrencën sepse sa herë kishte festivale muzike ai e dëshironte veten beqar.
Ndjeja konkurrencën sa herë që fliste për ishet e tij sikur duhej të dëgjoja për to, për seksin, suprizat intime, videot, gjëra që unë kurrë s’do t’ia dhuroja, në asnjë të ardhme!
Ndërsa, ajo që ia shpalosi maskën dhe mua mi hapën sytë ishin momentet kur mua më vinin oferta pune.
“Kush është sponzori yt, të duan në shtrat, pse e mendon veten të zgjuar?!”…
Ndjehesha budallaqe, e mençura që po sakrifikohej për xhelozitë.
Gjëra të tilla ishin torturuese, dhembjen që ndjeja, inatin, xhelozinë dhe gjithçka tjetër që më linte mes lotësh, një ditë më bënë të fortë që të marr binarët nën kontroll.
Më pas e analizova për shtatë muaj të ardhshëm, e studiova tipin e tij. Ia mësova çdo pikë të dobët, çdo plagë ku mund ta godisja, t’ia dridhja gjunjët, e ta zhveshja kur të doja.
Ani pse unë sot jam lavirja që ai pretendonte se kam qenë gjatë viteve, por mua më vjen mirë që kam pasur rastin të njoh dikë që s’do të doja kurrë më, as edhe njëherë të kem punë.
Dhe këto janë vetëm cikërrima…
Kur, moderniteti miksohet me patriarkatin lënë gjurmë në një mendje të shëndoshë.
Unë nuk isha modernia, evropjania, unë isha kërcënim për intelektin e tij ‘’proevropian’’, unë s’mund të isha IN në qoftë se nuk pëlqeja gjërat që atë e bënin të lumtur apo burrë?!
Sot, jam personi që ia ka thyer ëndrrat patriarkatit, ajo që ka shkatërruar iluzionin e dikujt për të qenë burri im i ardhshëm, pikërisht unë jam ajo që ka shëruar veten.
Unë jam feministe, di të dua me gjithë qenien dhe të luftoj për ndjenjat e mia.
Unë jam feministe, pastroj, gatuaj, respektoj mysafirët dhe traditat tona shqiptare.
Unë jam feministe, por ndjej xhelozi dhe duhet pranuar që çdo person i dashuruar është i prirur të absorvojë diçka të tillë.
Unë jam feministe, besoj që liritë e mia janë me të njëjtat ngjyra sikur liritë e një djali.
Unë jam feministe, di të hakmerrem dhe të luaj njësoj si një djalë.
Unë jam feministe, dhe do të punoj me gjithë qenien time për të shkatërruar frymën e patriarkatit sepse e ardhmja s’vjen ndryshe!/A.A.