Sot Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, çdo 40 sekonda një person i jep fund jetës
10 shtatori është vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes. Sipas OBSH, më shumë se 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes apo e thënë ndryshe një person çdo 40 sekonda. E ndërsa numri i tentativave për vetëvrasje mendohet të jetë deri në 25 herë më i lartë.
Për këtë arsye miliona njerëz janë të prekur apo kanë humbur të afërmit e tyre nga vetëvrasjet. Vendosja e lidhjes me ata që kanë përjetur një rast vetvrasjeje sipas mjekëve është e rëndësishme për të parandaluar vetëvrasjen. Ata që kanë qenë në prag të vetëvrasjes mund të ndihmojnë të kuptohet bashkëveprimi kompleks i ngjarjeve dhe rrethanave që i kanë çuar ata në atë moment, si dhe çfarë i shpëtoi ose ndihmoi ata të zgjedhin jetën. Ata që kanë humbur dikë për shkak të vetëvrasjes, apo kanë ofruar mbështetje për dikë që ka tentuar vetëvrasje, mund të japin njohuri për mënyrën se si ata u zhvendosën përpara në udhëtimin e tyre të jetës.
Në shumë komunitete, vetëvrasja mbahet e fshehtë, ose flitet për të vetëm si diçka tabu. Për të parandaluar këtë fenomen është e nevojshme të diskutohet për vetëvrasjen si për çdo çështje tjetër të shëndetit publik, gjë që do të ndihmonte për të larguar mitet në lidhje me të dhe për të zvogëluar stigmën përreth saj. Kjo nuk do të thotë që vetëvrasja të konsiderohet sjellje apo zgjidhje normale.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, në vitin 2012, vetëvrasja është cilësuar shkaku i dytë kryesor për vdekjen e të rinjve 15-29 vjeç në nivel global. Rreth 75% e vetëvvrasjeve ndodhin në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe përbëjnë 1.4% të të gjitha vdekjeve në mbarë botën.
/m.g/