“Zbulo Futbollin” – Projekti gjerman për fuqizimin e grave në botë
Kancelarja gjermane Angela Merkel mirëpriti një grup të lojtareve femra të futbollit nga Europa, Azia e mesme dhe Afrika, si pjesë e një projekti të quajtur ‘Discover Football’, që ka për qëllim të përdorë sportin më popullor të botës për të fuqizuar gratë.
Një total prej 104 lojtaresh femra po marrin pjesë në projektin ‘Discover Football’ në Berlin. Motoja e festivalit të këtij viti është ‘entuziasëm e miqësi’, sipas një deklarate të zyrës së Merkel, që do të bashkojë skuadrat ndërkombëtare të cilat po punojnë për të ndihmuar refugjatët.
Në ndeshjen hapëse, vajzat e një skuadre nga Irani, të veshura me ngjyrat e bardha e blu, tërësisht të mbuluara edhe me shami koke, janë përshëndetur nga spektatorët entuziastë të cilët valëvitën flamurin iranian.
Deri të dielën, gra nga Sudani, Kenia, Libia, territoret palestineze, Afganistani, Liberia, Greqia, Italia e Franca do të luajnë kundër njëra-tjetrës, por në ndryshim nga ndeshja hapëse, këto ndeshje do të luhen nga skuadra të përziera.
“Discover Football” është një organizatë e cila ka për qëllim të promovojë pozitat e gruas në shoqëri përmes futbollit dhe t’i ndihmojë ato të zhvillojnë aftësi që do të mund t’i përdorin edhe në të tjera aspekte të jetës.
“Ne kërkuam për një projekt ku mund të bënim të mundur këtë përballje të futbollit me gra me formime të ndryshme dhe ta bënim atë më të qëndrueshme për një periudhë më të gjatë kohore. Kështu ne themeluam ‘Discover Football’. Ky është një turne që organizohet çdo dy vite, ku skuadra nga e gjithë bota, që merren me futboll, vijnë këtu në mënyrë që të shtyjnë përpara edhe çështje të tjera të shoqërisë, si të drejtat e grave, p.sh,” u shpreh Corinna Assmann, bashkëthemeluese e këtij eventi.
Sipas organizatorëve, gratë do të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në workshop-e mbi çështje si seksizmi, vetëmbrojtja, fuqia dhe privilegji përgjatë këtij festivali.
“Motoja e turneut të këtij viti është ‘Home Game’. Ka të bëjë me emigrimin dhe kështu ne kemi sjellë së bashku vende, ku gratë e kanë përjetuar këtë çështje në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre janë emigrante, të tjera punojnë për organizata, të cilat merren me këtë çështje, ose punojnë me gra emigrante në një mënyrë ose një tjetër.”/A.A.