Fëmijët me probleme, braktisen nga shqiptarët, adoptohen nga të huajt
Historia ka treguar se birësimi i fëmijëve nuk është në kulturën e shoqërisë shqiptare, por sipas shifrave të viteve të fundit mund të thuhet se gjërat kanë ndryshuar. Numri i shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që kërkojnë të adoptojnë një fëmijë të braktisur ligjërisht nga prindërit biologjikë, ka ndryshuar gati në përmasa të paparashikuara thotë kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo.
Në një intervistë për gazetën Shqip, ai ka bërë të njohur edhe një fenomen të ri, atë të birësimit të fëmijëve me probleme shëndetësore nga prindër të huaj. Sipas tij kjo ndodh sepse ata e kanë më të lehtë për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale, në krahasim me çiftet shqiptare.
“Gjatë tre viteve të fundit pa lënë mënjanë edhe këtë vit ka pasur birësime të suksesshme për disa fëmijë me sindromën Down, të dy fëmijëve me virusin e HIV-AIDS, të disa fëmijëve me prapambetje të thellë institucionale, të fëmijëve me problem fizike apo me probleme të tjera të rënda shëndetësore për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale”, shprehet Terpo.
Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo, thotë se aktualisht numri i aplikimeve që vijnë nga shtetet e tjera është paksa më i madh se aplikimet nga shqiptarët. “Aktualisht janë 8 aplikime nga çifte që jetojnë në SHBA dhe vetëm një prej tyre është çift shqiptar. Gjtë viteve 2013 – 2015 ka pasur rreth 22 aplikime, ndërsa 3 aplikime gjatë vitit 2016, ku vetëm 4 prej çifteve kanë qenë shqiptare”.
Sa i përket prindërve shqiptarë që kërkojnë të birësojnë, Terpo thotë se “arsyet e aplikantëve që kërkojnë të birësojnë fëmijë janë të lidhura përgjithësisht me dëshirën e tyre për të përjetuar ngrohtësinë që sjell në familje ardhja e një fëmije dhe dashurisë dhe dëshirës së madhe për të kontribuar në mirërritjen dhe edukimin e fëmijës”.
Gjatë vitit të fundit kanë ndryshuar edhe procedurat për adoptimin e një fëmije. Një familje e cila kërkon të birësojë një fëmijë tashmë do të duhet të ndjekë proçedura më të shkurtuara të cilat parashikojnë birësimin e një fëmije të braktisur brenda 3 muajve nga nje vit qe ishte me parë.
/m.g/
Burimi: Gazeta Shqip