Kush mban përgjegjësi për dhunën “pa licencë” ndaj fëmijëve?
Emisioni investigativ “Stop” ka publikuar dje pamjet shqetësuese të dhunës fizike dhe verbale ndaj një prej fëmijëve të një kopshti privat në Tiranë. Administratorja e kopështit “Diren”, Anjeza Shabani, godet në mënyrë çnjerëzore fëmijën tre vjeçar përpara edukatores dhe fëmijëve të tjerë.
“Nuk mund të trokasim pas çdo dere të mbyllur për të konstatuar çerdhe apo kopshte private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme”, tha sot ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Me këtë deklaratë ajo duket se mohon përgjegjësitë, por nuk dihet pse ministrja Nikolla cilëson “derë të mbyllur” një aktivitet që vazhdonte punën i pashqetësuar prej më shumë si një viti, madje duke bërë edhe marketing në mediat sociale dhe ato vizive.
“Akte të tilla jo vetëm të marrin dënimin e duhur, por të shërbejnë që institucionet shtetërore të nisin një inspektim për të kaluar në vrimë të gjilpërës standardet dhe sjelljet e dënueshme”, tha më tej ministrja Nikolla duke dënuar ashpër rastin.
Ky model komunikimi, skandal pas skandali, na rikthen në klishenë e zakonshme të pastrimit të imazhit. Përfaqësues të qeverisë që përdorin të njëjtat fjalë, “turp”, “vendosmëri”, “inspektim”, për të larguar përgjegjësitë nga vetja dhe premtimi për kontrolle të hollësishme përmes zgjimit nga gjumi të institucioneve përgjegjëse, kur e vetmja detyrë që ato kanë është parandalimi i këtyre rasteve.
Më tej ministres duket se nuk i pëlqen pyetja e gazetares: “Cilat janë kriteret mbi të cilat licencohen kopshtet?”.
Ajo përdor mënyrën e vjetër, “përgjigjiu pyetjes me pyetje”, duke shmangur kështu dhënien e informacionit mbi të dhënat që qëndrojnë të publikuara në faqen e ministrisë që ajo përfaqëson, e që edhe nëse nuk i dinte, duhet t’i kishte përgatitur përpara se të përballej me median.
/l.k./