Shtohen vjedhjet në QSUT, pacientët duhet të ruajnë xhepat
Veç problemeve të tjera në sistemin shëndetësor, pacientëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) iu duhet të shqetësohen edhe për sigurinë e tyre. Gjatë dy ditëve të fundit në komisariatin nr.4 janë denoncuar dy raste vjedhjesh të pacientëve.
Ngjarja e parë është denoncuar nga një 61-vjeçar nga Shijaku, i cili është plaçkitur gjatë kohës që priste për t’u vizituar në ambjentet e QSUT. Shtetasi me inicialet S.E ka humbur portofolin në të cilin deklaron se kishte 13 mijë lekë të reja dhe dokumentat e identifikimit.
Një ditë më vonë, një 54-vjeçar me inicialet I.D, banues në Kamzë ka denocnuar po të njëjtën vjedhje teksa priste në Qendrën e Konsultave Mjekësore në QSUT. Në denoncim thuhet se vjedhja është kryer nga një person që i qëndronte vazhdimisht pranë e që më pas i kishte humbur nga sytë.
Nga përshkrimet që ka dhënë i dëmtuari, policia dyshon se autori mund të jetë një person rreth të 40-ave, që hiqet si pacient, duke ecur nëpër korridore dhe herë pas here u afrohet pacientëve të tjerë që ndodhen në të njëjtin vend me të, apo familjarëve që presin të sëmurët.
Problemi i vjedhjeve të pacientëve apo familjarëve të QSUT vijon prej kohësh, dy muaj më parë u arrestuan tre të rinj që kryhenin vjedhje dhe para një muaji një 57-vjeçar u vu në pranga për të njëjtën arsye.
/l.k./