Shkodër, gjinekologia kryen aborte të paligjshme për 200-300 mijë lekë
Emisioni investigativ “Fiks Fare” transmetoi mbrëmjen e djeshme vendin ku kryhen aborte të paligjshme edhe në muajin e pestë të shtatzënisë. Vera Haxhiu, gjinekologe, e ofron këtë shërbim në klinikën e saj private në qytetin e Shkodrës kundrejt shumave që i vendos vetë në varësi të moshës së shtatzënisë. Nëse je 4-muajshe shtatzënë dhe do të abortosh, mjafton të paguash 200 mijë lekë (të vjetra), ndërsa për të ndërprerë një shtatzëni 5-mujore kjo vlerë parash rritet me 100 mijë lekë më shumë, pra kërkohen 300 mijë lekë.
Bisedat e transmetuara mbrëmë treguan pazarin e mjekes me pacienten, e cila për arsye familjare dhe braktisjes nga babai i fëmijës kërkon ndihmë për të ndërprerë shtatzëninë. Vajza është 20-javëshe shtatzënë, pra pesëmuajshe.
Neni 10 i Ligjit Nr. 8045, dt 7.12.1995 “Për ndërprerjen e shtatzënisë”, tregon qartë se ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë mund të kryhet brenda javës së 12
Në kundërshtim me ligjin mjekja Haxhiu thotë se nuk ka asnjë problem për të abortuar, por kërkon parapagim që të nisë punën. Madje nuk pranon që t’i lëshojë as recetë mjekësore pacientes të paraqitet në klinikën e saj. Shkak për këtë është se sipas saj ka pasur raste kur pacientet janë larguar pa paguar, pasi kanë marrë recetën mjekësore apo pasi është përfunduar procesi i abortimit. Gjatë bisedës me vajzën që kërkon të bëjë ndërhyrjen për ndërprerjen e shtatzënisë, mjekja e njohur me emrin Vera, i tregon se tarifat e saj janë shumë të ulëta në krahasim me tarifat që përdorin kolegët e saj në Tiranë.
Sipas saj, në Tiranë kërkojnë 1 milion lekë për ta bërë këtë ndërprerje të shtatzënisë në kundërshtim me ligjin. Mjekja e ka shumë të qartë që po kryen një krim. Ajo thotë se “Deri në javën e 12 mund të bësh abort, por në javën e 12 dhe një ditë më tepër quhet krim dhe mund të përfundosh në burg”.
/l.k./