Qendra e Zhvillimit Shkodër, pacientët mbahen të lidhur me zinxhirë (VIDEO)
Emisioni investigativ “Stop” ka shfaqur një video shokuese nga Qendra e Zhvillimit, Shkodër.
Pamjet tregojnë se mënyra e trajtimit të pacientëve me probleme mendore në këtë institucion është dramatike. Për shkak se mund të jenë të dhunshëm, pacientët mbahen të lidhur me zinxhirë nga duart dhe këmbët.
Personat që trajtohen në këtë qendër, janë me prapambetje mendore apo aftësi të kufizuara dhe kryesisht janë jetimë ose të braktisur nga familja.
Sipas standardeve të vendosura nga Shërbimi Social Kombëtar, qendrat e zhvillimit për PAK kanë si qëllim sigurimin dhe përmirësimin e dukshëm në cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuar. Por pamjet tregojnë se përveç mungesës së infrastrukturës së duhur për trajtimin e këtyre pacientëve, ata lihen në dhoma pa asnjë mbikqyrës.
Qendra e Zhvillimit në Shkodër është një nga 6 qendrat publike rezidenciale për PAK në Shqipëri.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Për këtë rast tronditës ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke e konsideruar si një ngjarje të jashtëzakonshme, të rëndë dhe tepër tronditëse e cila përmban elementë të trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
KShH iu ka kërkuar institucioneve përgjegjëse verifikimin e fakteve të transmetuara. “Nëse ato do të vërtetohen është e domosdoshme marrja e masave administrative, ndërsa punonjësi apo punonjësit përgjegjës që kanë kryer këto veprime të ndiqen penalisht”, thuhet në deklaratën për shtyp të KShH.
/m.g./
https://www.youtube.com/watch?v=D0muWCZCE_w