Ndryshime në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve/ Mosraportimi i rasteve të abuzimit, vepër penale
Prej disa kohësh Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka nisur planin kombëtar mobilizues “Unë mbroj fëmijët”, duke propozuar gjithashtu edhe disa ndryshime në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës. Ministri Blendi Klosi, tha se ky ligj i ri ka për qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për të miturit.
Ndër risitë që pritet të sjellë ligji i ri, janë edhe shtimi i punonjësve mbrojtës për fëmijët në çdo bashki. Njesitë e mbrojtjes së fëmijëve do të jenë në çdo njesi të pushteti vendor. Duke përcaktuar si një obligim ligjor që për 3000 fëmijë të ketë një punonjës social apo psikolog që do të trajtojë problematikat e këtyre fëmijëve, tha Klosi gjatë prezantimit.
Ligji i ri garanton gjithashtu që të gjitha bashkitë do të kenë skuadra që do të marrin masa për fëmijët në situatë rruge.
Gjithashtu nëse fëmija merret në mbrojtje, e drejta e prindërimit do të ndërpritet menjëherë. Është një masë e re e propozuar në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve. “Është masë e cila funksionon në të gjitha vendet evropiane ku ne duam të shkojmë. Kur prindërit të cilët vlerësohen nga punonjësit social të pushtetit vendor se nuk kanë mundësi të trajtojnë një fëmijë me të drejtat e tijë të plota, do t’ju ndërpritet e drejta e prindërimit”, tha Klosi.
Një tjetër risi në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve është futja e detyrimit për raportim. Sipas propozimeve të MMRS, mosraportimi i rasteve të abuzimit nga mësuesit dhe psikologët apo punonjësit e institucioneve shtetërore, do të konsiderohet si vepër penale. /m.g