Nga viktimë në sipërmarrëse e suksesshme, Madi Sharma vjen në Tiranë
Nga viktimë në sipërmarrëse e suksesshme. Kjo është britanikja Madi Sharma, CEO e Madi Grup, një grup sipërmarrjes ndërkombëtare private dhe sociale si dhe një rrjet OJF-sh.
Madi Sharma e ka nisur nga hiçi, si një grua e dhunuar, e cila la bashkëshortin bashkë me fëmijën dhe pa asnjë kualifikim, arriti të kthehej në një sipërmarrëse të madhe. Madi është gjithashtu folëse në TEDx dhe shumë evenimente te tjera që kanë në kuadër sipërmarrjen dhe sfidat e saj.
Programi Swisscontact SECO EP, i cili ka në fokus mbështetjen dhe forcimin e ekosistemit të start-upeve në Shqipëri, mundëson ardhjen e Madi-t në Tiranë nga data 20-24 Maj.
Madi Sharma do shërbejë si mentore në “Startup Live”, 21-22 Maj, një eveniment ku të rinjtë mblidhen bashkë për të kthyer idetë në projekte konkrete biznesi. Për këtë ata kanë nevojë për këshillat dhe motivimin e e njerëzve me eksperiencë. Madi njihet për motivimin që përcjell, veçanërisht kur u drejtohet femrave që aspirojnë të bëhen sipërmarrëse.
“Arritja ime më e madhe është të merrja në dorë fatin e një prindi të vetëm, siç isha unë, pjesë e një minoriteti etnik, pa asnjë kualifikim e ta bëja atë një model për t’u ndjekur dhe rast studimi botëror. Unë e dashuroj atë që bëj e mendoj se orët e ditës nuk mjaftojnë dhe jam krenare që entuziazmi im i frymëzon njerëzit”, thotë Madi Sharma.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Madi do të jetë e pranishme në disa evente që kanë në fokus gratë e vajzat dhe studentët. Ajo do të jetë folëse në “Ditën e gruas sipërmarrëse”, organizuar nga shoqata “A Woman in Power”, në Qendrën Rinore të Tiranës, ku do ju drejtohet atyre që synojnë të jenë sipërmarrëse dhe sipërmarrëseve ekzistuese.
Gjithashtu ajo do të marrë pjesë në eventin “Girls Code Fest Marathon” që ka në fokus fuqizimin e rolit te femrave në teknologji, si dhe do të jetë një nga folëset, përsa I përket sipërmarrjes në takimin e studentëve të brezave në Universitetin Luarasi.
Video gjatë fjalimit të Madi Sharma në TEDx