Reportazh: Studentët bëhen gati për gjyqin politik
Nga Isa MYZYRAJ per gazeten IMPAKT
Për më shumë informacion mbi Logun e Shkëndijes, klikoni në faqen e tyre nëFacebook, KETU
Nesër nis gjyqi ndaj 8 studentëve që në shenjë proteste kundra ligjit të arsimit të lartë gjuajtën me vezë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama mesditen e 2 nëntorit 2015 brenda mjediseve të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Një ditë para gjyqit ata kanë bërë thirrje të gjithë kolegëve të tyre studentë, pedagogë, aktivistë, qytetarë të mblidhen në qendrën sociale “Logu i Shkëndijes” për të diskutuar mbi atë që ato e quajnë “Gjyqi Politik” i së nesërmes që do të ulë në bankën e të akuzuarve shokët dhe shoqet e tyre aktivistë.
Ata do të mblidhen në orën 19:00 ndërsa në orën 16:00 në “Shtëpinë e Rezistencës” ndodhen vetëm Mirela dhe Kristiani, të rrethuar nga libra, letra, pankarta rezistence ata punojnë me veten e tyre dhe në fytyrat e tyre tregohet se gjyqi ndaj shokëve të tyre nuk i tremb, sepse ata shpesh thonë “Kur padrejtësia bëhet ligj, Rezistenca bëhet detyrë”, ata besojnë fort në kauzën e tyre dhe janë të vendosur t’i shkojnë asaj deri në fund.
Pasi janë mbledhur disa nga studentët, në “Logun e Shkëndijes” vijnë dy student që nuk i njihte askush. Aurora dhe Diana ishin njoftuar nga rrjetet sociale për këtë aktivitet, dhe si “dhuratë” kishin sjellë 5 vezë, secila e “pandehur” nga një vezë në shenjë mbështetjeje për miket e reja të tyre, dhe duke treguar se personat që po mbështesin kauzën studentore po shtohen, dhe zërat lundër ligjit të arsimit të lartë po rriten.
Aktivistët tanimë janë mbledhur dhe janë ndarë në grupe, të gjithë duke diskutuar mbi atë cfarë do të ndodhë nesër tek gjykata me shoqet e tyre. Por të gjithë janë të vendosur se cfarëdo që do të ndodhë rruga e tyre nuk mbaron këtu, rezistenca e tyre do të vazhdojë përkundër vendimit të gjykatës.
Ato tanimë ulen në vendet tyre, Deni thyen heshtjen dhe prezanton në fillim Logun,. Ajo vazhdon të tregojë sesi opinioni publik “u shokua” jo nga protesta, por nga veza e studentëve, veza e cila theu tabunë e të protestuarit në vend, dhe se si e gjithë vëmendja u përqëndrua se “si guxuan vajzat të godisnin kryeministrin e vendit?!”. Deni gjithashtu vazhdon të tregojë realitetin e hidhur të vendit, se si dosjet e pastra kriminale, 21 janari, gërdeci, korrupsioni, vjedhjet, mashtrimet janë mbuluar me pluhurin e harresës vetëm për shkak të “mandatit të deputetit” dhe nesër zhvillohet një gjyq për studentët.
Doriani është avokati i studentëve që do të mbrojë ato para gjyqtarit. Ai tregon se si kanë ndodhur disa raste ku personat 3 muaj pasi janë shoqëruar në polici u është hapur process penal nga prokuroria. Avokati u bën apel studentëve të mos dorëzohen në kauzat e tyre derisa ata besojnë në drejtësinë e kësaj kauze.
Ai shton se ky si process ka disa parregullësi para se të fillojë si i tillë, përmend këtu kontrollin e banesave të të akuzuarave nga ana e policisë. Ai deklaron se ky kontroll është antiligjorë sepse sipas tij bie ndesh me ligjin.
Rasti gjyqit të studentëve në sytë e avokatit është një presion i hapur ndaj frymës së protestave, dhe presion për të mjellur frikë tek aktivistët.
Pas tij fjalën e merr pedagogu dhe aktivisti Arlind Qori, ai thotë se gjuajta me vezë e Ramës dhe akuza që ka ngritur prokuroria hyjnë në Kodin Penal tek kapitulli i “Krimeve kundra shtetit”, aktivistët qeshin sepse e mendojnë se si shteti quan krim kundra tij kundërshtimin e ligjit të arsimit të lartë.
Të pranishëm aty ishin edhe “të pandehurat” e këtij “krimi shtetërorë” Viki Cipi, Klodi Hoxha dhe Bora Mema, vajzat guximtare që thyen tabunë dhe dëgjojnë me vëmendje shqyrtimin e këtij “krimi” nga shokët e tyre. Ato nuk e shohin veten si kriminele, sepse “krimi” i vetëm që kanë bërë është që kanë mborjtur xhepat e tyre nga zhvatja e përditshme qeveritare.
Fjalën tanimë e merr Bora Mema ku i përgjigjes pyetjes se “Cfraë qëndrimi do të mbajë nesër? “ ajo përgjigjet “E vetmja pendesë imja është se nuk e kemi shënuar kryeministrin me vezë, por veza ka kaluar shumë afër tij”.
Klodi Leka thotë se liria e fjalës dhe protestës është në burg, dhe këtu nuk ka vend për të burgosur. Ne duhet të luftojmë për ta nxjerrë lirinë nga burgu.
Në mbyllje Deni bën thirrje që nesër të takohen në Orën 10:00 para gjykatës në mbështetje dhe në solidarizim të studentëeve “kriminel”.