LGBT pushtojnë bulevardin, ndalojnë para kryeministrisë me thirrjen: Barazi
Komuniteti LGBTI në Shqipëri dhe mbështetës të ndryshëm, marshuan në bulevardin Dëshmorët e Kombit në paradën e 5-të me biçikleta.
Qindra aktivistë, pjesëtarë të komunitetit LGBTI dhe mbështetës të tyre mbanin në duar parrulla ku shkruhej: “Urrejtja nuk është zgjidhje, thuaj Po dashurisë”, “Duam të drejta të barabarta, jo të drejta të veçanta”, “Bashkë për familjen, Kurajo”, “Asnjë dashuri nuk është gabim”, etj.
Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e LGBTI tha për Historia Ime: “Marshojmë sot edhe për ata pjesëtarë të komunitetit të cilët nuk mund të dalin për shkak të paragjykimeve. Sot kërkojmë me kurajo dhe vendosmëri të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë, drejtësi dhe liri për të jetuar jetën pa patur frikë se do na gjykojnë apo dhunojnë për shkak të personit që duam”.
Kristi Pinderi, aktivist u shpreh: “Në valën e urrejtjes që ka plasur ditët e fundit ka nga ata që evokojnë kohën e Enver Hoxhës pa kuptuar se janë në anën e gabuar të historisë, se historia nuk kthehet dot pas por ecën vetëm përpara”.
Aktivistët thanë se ndihen të turpëruar që edhe këtë vit asnjë përfaqësues i lartë qeverisë, i opozitës apo bashkisë nuk ndodhej në këtë event. Merrnin pjesë, megjithatë, punonjës të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
Në paradën me biçileta morën pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Ambasadorja e Hollandës, përfaqësues nga Ambasada Britanike, Avokati i Popullit, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj.
Pjesëmarrësit në paradë u ndalën para Kryeministrisë dhe shpalosën një banderolë ku shkruhej: “Të drejta të barabarta për familjet LGBT”. Ata kritikuan qeverinë për faktin që ka dështuar deri tani të amendojë Kodin e Familjes në mënyrë që edhe partnerët e së njëjtës gjini të kenë njohje ligjore.
Aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë, Bifobisë do të vazhdojnë ditën e hënë me shfaqjen në ambientet e Kryeministrisë të dokumentarit Ska Ndal (po atë ditë ky dokumentar do të shfaqet edhe në qytetin e Vlorës, në Pallatin e Kulturës), dhënien e çmimeve Aleati i Vitit, e të tjera aktivitete që do të mbyllen me një mbrëmje gala bamirësie për shelterin STREHA, në datën 20 maj, në Pallatin e Brigadave. /HI
VIJON me foto dhe video të tjera