Marrëveshja për pronat, shqiptarët nuk mund të ankohen më në Gjykatën e Strasburgut
Shqiptarët nuk do të kenë më mundësi të ankohen në Gjykatën e Strasburgut. Lajmi u bë i ditur dje nga Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Parlament. Pezullimi i shqyrtimit të padive ka ardhur nga një marrëveshje e shtetit shqiptar me Gjykatën e Strazburgut, e cila hyn në fuqi njëkohësisht me ligjin e ri të pronave.
Nga ana tjetër, kreu i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorbsi ka përgënjeshtruar këtë deklaratë, duke thënë se në Strazburg vijon procedura për të paktën 400 dosje që sipas tij janë në shqyrtim dhe nuk mund të pezullohen.
“Shqyrtimi i dosjeve në Strasburg vijon. Jemi në një situatë me dy standarde pasi dosjet që janë atje shqyrtohen me ligjin e vjetër, ndërsa këto që do të shkojnë do të shqyrtohen me ligjin e ri. Ne jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Padyshim që e kundërshtojmë ligjin e pronës. Meqë qeveria nuk përballon koston e faturës me paratë e taksave le të marrë paratë e tokave që ka ndarë me ligjin 7501 dhe të kompensohen pronarët”, tha Vorbsi “Gazetën Shqiptare”.
Ndërkohë, në gazetën ”Res Publica” aprovimi i kësaj “marrëveshje”, cilësohet si humbja e shpresës së fundit të shqiptarëve për të gjetur pak drejtësi për pronat e tyre. Nuk dihet se si është arritur kjo marrëveshje por një pyetje e tillë do të kishte më pak rëndësi nëse qeveria e tanishme nuk do të prodhonte probleme shtesë me pronat, thuhet më tej aty.
/l.k./