Zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit, 44 bashki “mbeten në klasë”, mes tyre dhe Tirana
Qendra për Çështje të Informimit Publik (INFOCIP) ka realizuar një monitorim të zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit në nivelin e qeverisjes vendore. Rezultatet tregojnë se vetëm 28% e 61 bashkive kanë marrë vlerësim “kalues” ndërsa të tjerat kanë dështuar në implementimin e ligjit të ri.
Sipas këtij ligji bashkitë duhej që deri më 3 maj 2016, të kishin krijuar një një uebsajt zyrtar, një program transparence dhe një regjistër pyetjesh dhe përgjigjes nga qytetarët. Hapat e tjerë që duhej të ndërmerresin ishin caktimi i një koordinatori për të drejtën e informimit dhe publikimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak në internet.
Por nga të dhënat e monitorimit rezulton se 37 nga 61 bashkitë nuk kanë ende një faqe zyrtare online. Mungesa e faqes së internetit e bën të pamundur realizimin e të gjithë kërkesave të ligjit për të drejtën e informimit, veç asaj të caktimit të një koordinatori, që është plotësuar nga pjesa më e madhe e bashkive.
Vlerësimi në këtë studim është bërë përmes këtyre 5 komponentëve thelbësor që përbëjnë kushtet e implementimit të ligjit për të drejtën e informimit publik:
- Prania/pasja e faqeve zyrtare të internetit (2 pike)
- Publikimi i programeve të transparencës (3 pike)
- Publikimi i Regjistrit të Kërkesave (1 pike)
- Caktimi i Kordinatorit te DPI dhe afishimi i kontakteve të tij (2 pike)
- Publikimi i vendimeve të këshillave bashkiakë (2 pike)
Bashkia Tiranë është vlerësuar me notën 4, duke plotësuar vetëm 2 nga 5 kriteret, që janë pasja e një uebsajti dhe caktimi i koordinatorit. Ndërkohë mungon programi i transparencës, regjistri i pyetje-përgjigjeve me qytetarët dhe publikimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak.
Vetëm bashkitë Lezhë, Vlorë dhe Shkodër vlerësohen me 10 pikë, duke plotësuar të gjithë kriteret e zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit. Ndërsa 15 bashki, mes tyre ajo e Tropojës, Shijakut, Hasit dhe Devollit nuk kanë zbatuar asnjë nga 5 kërkesat e ligjit, duke u vlerësuar kështu me zero pikë.
FOTO: Tabela vlerësuese me pikë për 5 komponentët e zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit
/l.k./