Rritet numri i të sëmurëve me astmë në Shqipëri; Më të prekurit, fëmijët 6-14 vjeç
Astma është një nga sëmundjet më të shpeshta jo-infektive në botë. Me rastin e ditës Botërore të Astmës, faqja e QSUT shkruan se në vendin tonë astma ka pësuar një rritje progresive në moshat 6-14 vjeç.
Astma është sëmundje që më shpesh evidentohet në fëmijëri dhe adoleshencë. Studimet që janë kryer në Shqipëri në vitin 1995, kanë treguar se numri më i madh i të prekurve nga astma, në 2.6% është në moshën 13-14 vjeç. Në studimin që është kryer në vitin 2011 prekja e astmës ka pësuar një rritje progresive në moshat 6-14 vjeç. Ndërsa në vendet e zhvilluara 1 ne 4 fëmijë sot vuan nga Astma.
Sot në botë rreth 300 milion njerëz vuajnë nga kjo sëmundje. Faktorët më të mëdhenj për shfaqjen e astmës janë substancat që mund të provokojnë reaksione alergjike apo të irritojnë rrugët e frymëmarrjes.
Sipas studimeve të Global Initiative for Asmtha dhe Organizata Botërore e Shëndetit, rreth 1 milion vdekje për çdo dekade janë pasojë e astmës nga ku 80% ndodhin në vendet me zhvillim të mesëm ose të ulët.
Çfarë është Astma Bronkiale?
Astma është një sëmundje kronike inflamatore e rrugëve të frymëmarrjes, e cila karakterizohet nga shqetësime në frymëmarrje që shprehen me simptoma si mbajtje fryme, fishkëllima e shtrëngim në gjoks dhe kollë. Simptomat e astmës ndryshojnë nga koha në kohë, nga rëndesa e krizave, nga një individ në tjetrin. /m.g