Fati i një gruaje punëtore
Për shumëkënd historia e kësaj gruaje 54-vjeçare e rrëfyer gjetkë është aq tragjike, saqë mund të thuhet se është e rrallë e për pasojë jopërgjithësuese. Por jo, historia e saj ku më pak e ku më shumë është e rëndomtë, të paktën brenda asaj fabrike ku bëhet përpunimi i peshkut. Për këtë mjafton të mendosh se askush nuk do të punonte një punë fizikisht aq të mundimshme dhe me pasoja për shëndetin vetëm për 80 lekë në orë, në qoftë se hallet dhe lufta për mbijetesë nuk do ta detyronte.
Jeta nuk u tregua e drejtë me të që në rini. Bashkëshorti i saj pa mbushur një vit martesë u nda nga jeta duke e lënë me një foshnjë në krahë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ligjet e rrepta kanunore të veriut të Shqipërisë bënë që kjo familje ta kthente nusen e sapobërë nënë në shtëpinë e prindërve, e për më tepër duke i mbajtur foshnjën të cilën nuk ia dhanë më as për ta parë. Edhe ai pak normalitet që pati për pak kohë, iu rrënua shumë shpejt. Aksidenti i bashkëshortit të dytë dhe shndërrimi i tij në të paaftë për punë i hodhi gjithë barrën e shtëpisë mbi supe. Për më tepër shndërrimet sistemore e shoqërore të 25 viteve të fundit nuk sollën asgjë të mirë në jetën e saj.
Të qenit një studente e shkëlqyer dhe eksperienca e gjatë si ekonomiste në regjimin e shkuar nuk qenë të mjaftueshme për të pasur edhe sot një punë të denjë. Lufta e ashpër dhe e padrejtë e tregut bëri që ajo të përfundonte nga një ekonomiste me përvojë në një punëtore të thjeshtë të fabrikës së përpunimit të peshkut në Lezhë. Por kjo as që krahasohet me kushtet, marrëdhëniet në punë apo rrogën qesharake në të cilat e vendosën pikërisht këto marrëdhënie tregu..
Dita e saj si grua, nënë, shtëpiake dhe punëtore në një qytet periferik si Lezha fillon në pesë të mëngjesit. E gjendur përballë sfidës së mbijetesës, e vetmja alternativë për të është fabrika e peshkut, ku i duhet të punojë rreth 8 orë e gjysmë për vetëm 640 lekë në ditë. Madje as këtë shumë nuk e ka të sigurt pasi ka dënime nëse nuk arrin të përmbushë normën ditore, e cila është 100 kg pastrim peshku në orë, në kushte lagështie, të ftohti dhe terreni të rrëshqitshëm që shpeshherë ka qenë burim aksidentesh për të dhe shoqet e saj. Sigurisht që gjëja e parë që të shkon në mendje është pse këto gra nuk ngrenë zë për të drejtat në punë. Kur gruaja del nga konturet private dhe futet në terrenin publik, kjo duhet parë si një hap përparimtar dhe mundësi revolte. Edhe assesi te mos lejohet që logjika të tilla ta privatizojnë publiken.
Në mars të 2011 marrëdhëniet thuajse skllavërore të punës çuan në protestën e fortë të rreth 500 grave punëtore, të cilat i dërguan Ministrisë së Bujqësisë një kërkesë për mbështetje.
Asokohe ato kërkonin:
– nënshkrimin e kontratave individuale dhe të kontratës kolektive (parashikuar sipas Kodit të Punës)
– pagimin e sigurimeve shoqërore (parashikuar sipas Kodit të Punës)
– rritjen e pagës minimale në 19 mijë lekë në muaj, ndërkohë që ato merrnin nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë.
Përballë zërit të 500 punëtoreve dhe kërkesave të tyre që janë të garantuara me ligj, pronari i kësaj fabrike i shtypi ato pa mëshirë. Shkarkoi 30 punëtore e sindikaliste dhe mes tyre ishte edhe kryetarja e asaj kohe e sindikatës së kësaj fabrike. Bëhet fjalë për gruan e rrëfimit tonë, e cila, tashmë e sprovuar nga sfidat më të dhimbshme, i doli sypatrembur në ballë asaj proteste. Pa qenë nën mbrojtjen e një kontrate kolektive, secila prej tyre ishte e rrezikuar. Të braktisura edhe nga shteti, punëtoret u detyruan të tradhtonin veten, njëra-tjetrën, kauzën dhe t’i ktheheshin punës njëjtë si më parë.
Për heroinën tonë tanimë tingëllon ironike qoftë edhe shpresa më e vogël për ndryshim. Asaj iu tradhtua guximi, e vetmja gjë që e ka shtyrë përpara pas çdo sfide. Sot ajo gjendet e dorëzuar dhe e nënshtruar sepse, siç thotë, “nuk ka gjë më të keqe se të luftosh për mbijetesë”.
Nëse dje ajo gjendej përpara dy zgjedhjeve: të nënshtrohej apo të luftonte për çlirim prej prangave, për të sot prangë është shndërruar kafshata e përditshme. Sot fati i kësaj gruaje, e shoqeve dhe shokëve të saj që enden fabrikave të ngjashme, fasonerive tekstile, ushqimore etj., konkretizohet tekstualisht në këto vargje të Migjenit:
mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.
Shoqëria postmoderne nuk i solli çlirimin e punëtorit e aq më tepër gruas si punëtore, thjesht shtypja e shfrytëzimi morën forma të reja. Të jesh grua në një shoqëri të stërmbushur me steriotipe, je e detyruar të luash role të shumëfishta. Prandaj të angazhohesh për një kauzë më se të drejtë dhe të jesh grua, është barrë që sa vjen e rëndohet. Nga njëra anë qëndron lufta për mbijetesë, nga ana tjetër shoqëria (shumicën e rasteve shumë paragjykuese) dhe pronari, i cili në raport me dy të parat duket se e ka luftën shumë të lehtë.
Jo! Së pari duhet të luftojmë përtej roleve që na ka përcaktuar shoqëria.
Së dyti lufta jonë nuk duhet të jetë për mbijetesë, por për një jetë më se të denjë, e kjo kauzë nuk duhet të jetë vetëm e gruas, punëtorit, studentit, por e të gjithëve. Sepse sot po përjetojmë shtypje të shumëfishta. Kjo luftë është e jona, e padyshim që edhe fitorja do jetë e jona./A.A.