Ukraina përkujton 30 vjetorin e katastrofës bërthamore të Çernobilit
30 vite më parë, në 26 prill të vitit 1986 ka ndodhur katastrofa bërthamore në Çernobil. Ukrania përkujton sot shpërthimin më të madh bërthamor në histori. Të afërmit e viktimave kanë ndezur qirinj në disa kisha dhe në Slavutych, një qytet i ndërtuar për punëtorët që jetonin në afërsi të centralit bërthamor.
Sot, alarmi i sirenave është ndezur në të njejtin moment, në orët e para të mëngjesit, njësoj si përpara 30 vitesh. E gjithë katastrofa erdhi nga një reaksion i pakontrolluar që hodhi në erë çatinë dhe materiali radioaktiv që u përhap në ajër përshkoi shumë pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik duke përfshirë Rusinë, Bjellorusinë dhe vende të tjera të Europës veriore.
Disa ish-banorë që kanë jetuar në Pipyat, janë rikthyer sot në qytetin fantazmë. Njëra nga banoret Zoya Perevozchikov, sot 66 vjeç, tha për Reuters “Mezi e kam gjetur shtëpinë time. Sot është kthyer në një pyll, gjithandej ka pemë, në trotuar, mbi çati. Dhomat janë bosh, xhami është zhdukur nga dritaret dhe çdo gjë është e shkatërruar”.
Numri i njerëzve të vrarë nga katastrofa bërthamore vazhdon të mbetet e diskutueshme. Në një raport të OKB-së në vitin 2005, thuhet se rreth 50 persona kanë vdekur si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit. Shumica e tyre ishin punëtorë që vdiqën menjëherë ndërsa të tjerë mbijetuan deri në fund të vitit 2004.
Sot GreenPeace thotë se shifra e personave që mund të vdesin gradualisht nga ekspozimi radioaktiv shkon në 93.000.
Niveli i radioaktivitetit vazhdon të mbetet i lartë në zonën përreth, megjithatë aty ende jetojnë mbi 100 banorë që nuk kanë dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. /m.g
Burimi: BBC