Gratë në Kosovë, Forca e Pafuqishme Riprodhuese
Edhe pse aborti është i lejueshëm deri në javën e dhjetë të shtatzanisë, gratë dhe vajzat nuk kanë qasje në edukim seksual, nuk përdorin thuajse fare metodat moderne kontraceptive dhe keqtrajtohen në departamente të gjinekologjisë.
Progresi drejt shëndetit seksual dhe riprodhues do të vërehet vetëm atëherë kur do të mund të flasim haptas dhe lirshëm për opsionet e grave dhe fuqinë tonë për të kontrolluar trupat tanë.
Është gjendja e mjerueshme e të drejtave seksuale dhe riprodhuese në Kosovë që më futin dyshime gjatë ndeshjes me probleme më të lehta si qëndrimet konservative të qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë; prej ndjenjës së pakëndshme kur duhet të kërkosh pilulën e mëngjesit në barnatore; frikën e të mbeturit shtatzanë dhe presionin për t’u përballur me mungesën e mbështetjes së të afërmve.
Dyshimet vazhdojnë në ballafaqim me çështje si seksizmi, me të cilin gratë përballen edhe në zyrën e gjinekologut, i cili të pyet “a jeni e martuar” në vend se “a jeni seksualisht aktive”. Ata i referohen “burrit tënd” në vend të “partnerit tënd,” ose të nxisin të kesh fëmijë nëse ke arritur një moshë të caktuar.
Diskriminimi dhe keqtrajtimi i grave sa i përket riprodhimit merr forma më të ashpra. Janë raste të shumta, të njohura mirë nga publiku Kosovar, me atë se çfarë ndodh Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Një grua 27 vjeçare vdiq disa orë pas lindjes në Spitalin Gjinekologjik të Gjilanit.
Sipas prokurorisë, dyshohet se gruaja kishte vdekur si pasojë e gjakderdhjes që nuk mund të gjendej – pra neglizhencës së stafit shëndetësor. Vitin e kaluar, një foshnje humbi jetën për shkak të mungesës së përkujdesjes nga personeli shëndetësor në Spitalin Gjinekologjik të Mitrovicës. Një grua filloi procesin e lindjes në hollin e një spitali nga shkaku i mungesës së përkujdesjes nga personeli shëndetësor.
Skandale të tjera përfshijnë një grua të cilës i qepën një pecetë brenda trupit pas operacionit; gra të cilat pas prerjeve Cezariane detyrohen nga infermieret t’i mbajnë dhomat e pastra para takimit me doktorin dhe prej atyre që pranuan të japin para për doktorët që t’ju jepet përkujdesja e domosdoshme; dhe mos të harrojmë rastin e një nëne që mori infeksion në sallën e operimit pas një prerjeje Cezariane.
Kam folur me një psikiatre që preferoi të mbetej anonime për hir të pacienteve të saj dhe mirëbesimin që kanë mes tyre. Ajo paraqiti një sërë problemesh me të cilat gratë dhe vajzat e Kosovës duhet të ballafaqohen pa ndihmën e të tjerëve: dhuna dhe përdhunimi nga partnerët intimë; dhuna familjare si pasojë e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore ose me personin që do të martohen në të ardhmen; kryerja e formave të dhimbshme të seksit për të “mbrojtur” virgjërinë; konsiderimi i vetëvrasjes dhe himenoplastisë (riparimi i membranës që mbyll pjesërisht vaginën), gjë që shihet si mjaft e zakonshme në Kosovë.
Abuzimi dhe keqtrajtimi me të cilin ballafaqohen gratë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është alarmant. Prandaj duhet një reformë e plotë institucionale dhe veprim gjyqësor që të kërkohen standarde etike nga ana e institucioneve të shëndetësisë në mbështetje të jetëve të grave, nënave dhe foshnjave.
Ka mjaft kundërthënie dhe sinjale të përziera që u dërgohen grave në lidhje me aftësitë dhe të drejtat riprodhuese. Pavarësisht se aborti është i ligjshëm deri në javën e dhjetë të shtatzanisë, dhe kontraceptivët e pilulat e abortit janë në dispozicion të grave, ato nuk kanë qasje në edukimin seksual, dhe studimet tregojnë se metodat moderne kontraceptive përdoren shumë pak.
Për më shumë, fekondimi artificial për nënat beqare është i vështirë dhe procedurat ligjore janë në fuqi që të pengojnë amësinë e tyre.
Nëse nuk u gjendet zgjidhja mospërputhjeve në kornizën ligjore të shëndetësisë, ne nuk do të mund të kemi hapësirat e domosdoshme për debat të mirëfilltë mbi të drejtat dhe opsionet seksuale dhe riprodhuese, për gratë si qytetare me të drejta dhe përgjegjësi të plota si prindër, të pavarura dhe të afta të ushtrojnë autonomi të plotë e të informuar mbi trupat e tyre.
Gra të fuqizuara në vend të grave të kërcënuara, të inkurajuara në vend se të jenë të tmerruara – kur vjen puna te lindja dhe mbështetja ndaj institucioneve, do të ndihmojë në rrugëtimin e Kosovës për ta rrënuar mizogjininë në nivelin institucional dhe shoqëror, si dhe do të ndërrojë mendimet dhe perspektivat sa i përket integritetit trupor dhe shëndetit të gruas./A.A.