Rehabilitimi i lumit do të lërë pa strehim dhjetëra familje rome
Zona e Bregut të Lumit, ku jetojnë dhjetëra familje rome, do të përfshihet nga një projekt për rehabilitimin e shtratit të lumit. Ky projekt do të përfshijë prishjen e shumë barakave dhe shtëpive të banorëve që jetojnë aty, por se ç’do të bëhet me këta banorë nuk dihet ende.
Briselda Rreme aktivsite e organizatës USHTEN thotë se banorët janë lajëmruar që do të largohen prej aty, por pa e ditur se ku do t’i dërgojnë. Sipas saj, tek Bregu i Lumit kanë filluar të vijnë punonjës të bashkisë që mbledhin të dhëna për numrin e familjeve që jetojnë aty, ku e kanë pashaportizimin, sa persona janë në familje etj.
“I kanë lajmëruar që brenda muajit duhet të zhvendosen, por se ku do të shkojnë apo se cilat familje do të preken, nuk dimë asgjë. Familjarët janë të trembur nga kjo gjë dhe na thonë “ku do të shkojmë, do na lënë pa shtëpi””, tha për Historia Ime, Briselda Rreme.
Ajo thotë gjithashtu se aktivistët kanë dërguar që prej 2 javësh një kërkesë me shkrim në bashki për të marrë më shumë informacione, por ende nuk kanë marrë përgjigje. “Ne kemi kërkuar edhe një takim me drejtoreshën e shërbimit social pranë bashkisë së Tiranës, znj. Besjona Dede, por nuk na kanë kthyer përgjigje”, u shpreh Briselda Rreme. /m.g