11 familje rome të larguara nga kampi i liqenit, mbeten pa strehim
Disa nga familjet rome të larguara në muajin tetor nga kampi tek zona e liqenit, kanë ngelur pa strehim. Në një intervistë me aktivisten Briselda Rreme, mësojmë se bëhet fjalë për 11 familje apo rreth 70 – 80 banorë.
“Këto familje janë kryesisht nga Elbasani dhe Berati dhe në kohën kur banorët u nxorën nga kampi, ata nuk kishin shtëpi apo tokë në qytetin e tyre ku të mund të ktheheshin. Në atë kohë, bashkia e Tiranës iu premtoi se do t’i ndihmonte duke iu paguar për 1 vit qiranë e shtëpisë, por kjo nuk ka ndodhur”, tha për Historia Ime, Briselda Rreme.
Gjatë këtyre 5 muajve, banorët janë ndihmuar nga Organizata “Save the Children”, por tashmë ata nuk kanë më mundsi dhe pronarët e shtëpive kanë filluar t’iu ndërpresin ujin dhe energjinë elektrike. Për të gjetur një zgjidhje, aktivistët romë kanë kërkuar dy herë takim me përfaqësues të bashkisë dhe pasi fillimisht nuk kanë marrë përgjigje, herën e dytë janë takuar me drejtoreshën e Shërbimeve Sociale pranë bashkisë, Besjona Dede.
Briselda Rreme tha se zgjidhja që u ofrua nga ana e bashkisë ishte zhvendosja e pashaportizimit nga qytetet e tyre në kryeqytet, dhe më pas aplikimi për bonus qira si banorë të Tiranës. “Bashkia ka premtuar se do të zbusë kriteret që duhet të përmbushin familjet për të përfituar bonus qiranë, por problem është se këto procedura do të zgjasin rreth 1-2 muaj dhe për këtë periudhe nuk ka asnjë zgjidhje se çfaë do të bëhet me këto familje”, shprehet Rreme.
Përveç kësaj, ajo ngre shqetësimin se banorët duke mos u ndjerë të sigurtë dhe besues ndaj bashkisë, po mendojnë të rikthehen në barake duke e parë si zgjidhjen e vetme. /m.g