Studim: Mbikqyrja e qeverisë mbi rrjetet sociale rrit autocensurën tek përdoruesit
Një studim i ri tregon se vetëm dijenia për mbikqyrjen qeveritare të medias online i bën njerëzit të vetëcensurojnë opinionet e tyre kundërshtuese. Ky kërkim ofron një vështrim më të kthjellët dhe vë në dyshim atë që shpesh quhet “efekti demokratizues” i medias sociale dhe internetit.
Studimi i publikuar në revistën “Gazetaria dhe komunikimi masiv”, shqyrton efektet që dijenia për mbikqyrjen qeverisë ushtron mbi opinionet e subjekteve të vendosur në studim. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve reaguan duke i fshehur mendimet që ata perceptonin se ishin në pakicë. Kërkimi pasqyron një argument të Edward Snowden, i mbështeste mendimin se mbikqyrja e shtetit ka një efekt gojëmbyllës mbi njerëzit që duan të shprehin opinione disidente
“Spiralja e heshtjes” është një fenomen mjaft i studiuar gjatë së cilit njerëzit mbajnë për vete opionione jopopullore si mënyrë për t’u përshtatur dhe për të shmangur izolimin social. Fenomeni është shqyrtuar në kontekstin e medias sociale dhe efektit të “jehonës brenda dhomës”, në të cilin ne i “qepim” opionionet tona për të qenë në të njëjtën linjë me aktivitetin online të miqve në Facebook apo Twitter. Por ky studim i shton një shtresë të re duke vëzhguar në mënyrë eksplicite sesi ndikon mbikqyrja qeveritare tek autocensura.
Pjesëmarrësit në studim së pari u vëzhguan për besimet e tyre politike, dallimet e personalitetit dhe aktivitetin online për të krijuar një profil psikologjik për secilin person. Një grup i zgjedhur rastësisht, më pas u paralajmërua për mbikqyrjen që bën qeveria, e më pas secilit iu tregua një titull neutral, i sajuar në lidhje me sulmet ajrore amerikane që kishin shënjestruar ISIS në Irak.
Subjekteve më pas iu bënë një seri pyetjesh në lidhe me qëndrimin e tyre ndaj këtyre ngjarjeve hipotetike, si mendonin ata se duhej të ndjeheshin shumica e amerikanëve për këtë lajm dhe nëse ata do të publikonin opinionin e tyre në lidhje me këtë çështje. Pjesa më e madhe e atyre që iu ishte kujtuar më parë mbikqyrja e qeverisë, ishin më pak të prirur të flisnin për idetë e tyre më jokonformiste, përfshirë edhe ata që ishin më pak të ndikuar nga autocensura në bazë të profilit psikologjik të hartuar.
Elizabeth Stoycheff, drejtuese e studimit dhe asistent-profesore në universitetin Wayne shprehet e trazuar nga gjetjet e tij.
“Shumë njerëz me të cilët kam folur thonë se nuk e çajnë kokën për mbikqyrjen online për shkak se ata nuk shkelin ndonjë ligj e nuk kanë asgjë për të fshehur. Pastaj na rezulton se këta racionalistë janë thellësisht të trazuar”, thotë ajo.
“Është shqetësuese se mbikqyrja duket se ngre kulturën e autocensurës pasi margjinalizon edhe më tej grupet e pakicës. Edhe është e vështirë të mbrosh e të zgjerosh të drejtat e këtyre grupeve të prekshme, kur zërat e tyre nuk janë pjesë e diskutimeve. Demokracia lulëzon mbi diversitetin e ideve dhe autocensura e mbyt atë”, ka shtuar ajo.
/l.k./
/Washingtonpost.com