Përurohet “Shtëpia e Përbashkët”, mensa sociale që ofron ushqim falas për personat në nevojë
“Shtëpia e Përbashkët” quhet qendra sociale që u përurua sot në zonën e Laprakës.
Sipas Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, mensa sociale e kësaj qendre do të ofrojë ushqim falas për 100 persona në pamundësi ekonomike çdo ditë.
Veç mensës, kjo qendër është e vetmja në Tiranë që ka sallë fizioterapie. Stafi i përbërë nga 15 persona, duke përfshirë psikologë, punonjës socialë, fizioterapist, terapist, operator social dhe staf mbështetës, duke ofruar terapi zhvillimi, këshillim dhe asistence sociale për banorët e Laprakës dhe Kodër- Kamzës.
Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj tha se duke filluar që nga muaji prill, bashkia i ka kërkuar të gjitha supermarketeve të Tiranës që të mos i hedhin ushqimet që janë në prag skadence, por t’i sjellin ato në mensat e bashkisë për t’i shpërndarë më pas për njerëzit në nevojë.
“Shtëpia e Përbashkët” është qendra e dytë sociale në Tiranë, pas asaj në Kombinat e cila ofron shërbime ditore kryesisht për gratë në nevojë.
/l.k./