Portali qeveritar “e-albania” nuk funksionon, është kthyer në problem për maturantët
Portali qeveritar “e-albania” përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave ka fituar të drejtën e transmetimit të aplikimeve për formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore 2015-2016.
Ky portal, thjesht ka shtuar një hallkë në procesin e aplikimit për Maturën Shtetërore , pasi pjesa tjetër e regjistrimit vazhdon të bëhet ku është bërë prej vitesh, në portalin matura.akp.gov.al
“Tema Tv” raporton se portali “e-albania” nuk funksionon siç duhet dhe është kthyer në problem për shumë maturantë në gjithë Shqipërinë. Pas verifikimit të bërë nga “Tema Tv” është vërtetuar se ky portal nuk funksionon. Problemi qëndron në sistemet lokale, që sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Informacionit, nuk varen nga ky institucion, që është përgjegjës vetëm për serverin qendror të portalit “e-albania”.
Ministria e Arsimit është mjaftuar me publikimin e këtij udhëzuesi me 13 hapa që shpjegon mënyrën si maturantët duhet të regjistrohen, por nuk tregon se ku duhet të drejtohen nëse sistemi nuk funksionon.
Këtu fillon delegimi i përgjegjësive nga një institucion në tjetrin, sepse sipas AKSH, është Ministria e Arsimit ajo që duhet të përgjigjet për mbarëvajtjen e sistemeve lokale.
Deri sa këto dy institucione të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e problemit, maturantëve iu duhet të presin, me përfundimin e aplikimeve që është gjithnjë e më afër.
/l.k./