Sonila Qerimi, gruaja që prej 13 vitesh kërkon lëmoshë në rrugët e “Bllokut”
Ajo quhet Sonila Qerimi, është një grua pastrehë, e divorcuar e me dy fëmijë që prej 13 vitesh qendron në njërën prej rrugicave të bllokut. E gjen çdo ditë aty, në kohë me diell e me shi, të ulur në cep, me dorën zgjatur për lëmoshë.
Identifikohet lehtë nga pamja, mjaft e bëshme, por shëndeti i saj trupor nuk tregon gjendje të mirë shëndetësore. Është 33 vjeç por pamja e tregon më të madhe.
“Me 26 mijë lekë të vjetra që më jep shteti në muaj, nuk mund të siguroj asnjë ilaç për vete. Një gjilpërë kushton 9 mijë lekë. Jam shumë e sëmurë, vuaj nga astma” ka thënë ajo për Dritare.net.
Banesa e saj është një barakë pranë lumit Lana. Sonila jeton aty me dy vajzat.
Sonila tregon se ndonëse Blendi Klosi i dha fjalën se do ta ndihmonte, kur ajo u ballafaqua me të në emisionin “Dritare me Rudinën”, në Vizion Plus, nuk është marrë asnjë masë në ndihmë të saj. “Çdo gjë vazhdon po njëlloj. Kam trokitur në shumë dyer por shteti s’ka bërë asgjë”
Ajo që bie në sy në këtë pamje është kontrasti midis luksit dhe shkëlqimi të “bllokut” dhe mjerimit të Sonilës, e cila qëndron çdo ditë aty me shpresën se dikush do t’i falë disa të holla.
Burimi: Dritare.net
/l.k./