TIRANA E PAMOTORIZUAR
Të gjithë të huajve që vizitonin Shqipërinë aso kohe, qytetet pa makina tërhiqnin vëmendjen dhe shndërroheshin në burime interpretimesh të lehta.
Aso kohe, siç e vërejnë edhe gazetarët në dokumentar, kjo mungesë automjetesh, sidomos private, shihej si shenjë dhe provë varfërie.
Në pamundësi për të blerë dhe përdorur makinat, qytetarët e kishin qytetin në dispozicion për të ecur, me këmbë dhe me biçikletë.
I njëjti konstatim sot do të lajmëronte sakaq parajsën urbane dhe jo vetëm për ambientalistët: një qytet pa makina, një qytet për këmbësorët dhe biçiklistët – pa zhurmë, pa kaos dhe pa gazra helmues: a nuk është pikërisht ky synimi utopik i të gjithë atyre që duan t’ua kthejnë qytetet qytetarëve?
Lagjet më të jetueshme, më të vizitueshme, më të shijueshme në qytetet anembanë botës janë ato pedonale, ku ndalohet hyrja e makinave.
Të gjithë ne, që e kemi jetuar “nga brenda” Tiranën e viteve 1970-1980, e paskëshim pasur utopinë pedonale të realizuar tashmë, teksa ëndërronim dhe llomotisnim për autostradat gjermane, trafikun siç e shihnim në filmat italianë dhe markat e reja të veturave.
Ndoshta ambientalistët e atyre viteve, ose edhe hippies, na e kishin zili jetën e pamekanizuar; sikurse mund të habiteshin me fëmijët, që luanin futboll mu në rrugë të makinës, për ta ndalur topin kur shfaqej ndonjë autobus a furgon i rastit.
Nuk mund ta kuptonim këtë, madje do ta kujtonim për ironi; unë për herë të parë fillova ta ndiej se diçka nuk shkonte, kur pashë dhe preka dhe thitha në mushkëri blozën që kish mbuluar monumentet, mermerin dhe travertino-n e Romës.
Jo se dua ta romantizoj atë të shkuar; aq blozë sa ç’lëshonin në Romë dhe në Paris një mijë vetura, e prodhonte në lagjen time vetëm oxhaku i lavanderisë së çerdheve dhe të kopshteve të bllokut.
Prej asaj bloze, portokallet në oborr të shtëpisë sime piqeshin gjithnjë pamëshirshëm të zeza nga përjashta; as shiu nuk arrinte t’ua kthente ngjyrën normale.
E megjithatë, Tirana për ne të atëhershmit do të mbetet gjithnjë pedonale; dhe nuk ka pamje më të papranueshme, për mua, se ajo e bulevardit të madh sot, të mbytur nga një trafik i pluhurt dhe budalla, që turret si i marrë drejt hiçgjësë që e pret te postëblloku faraonik i Rektoratit.
Gjithnjë më duhet ta pastroj pamjen, nga këto zukatje parazitare makinash, që nuk e kanë vendin aty.
Sikurse më duhet ta pastroj, të njëjtën pamje, nga betoni dhe bojatisjet tashmë të rrjepura e të zbërdhylura dhe reklamat kakofonike, për t’ia kthyer Tiranës gjelbërimin dhe pikëllimin e vjetër.
Sado teknologjikisht i prapambetur dhe gjithnjë i organizuar sipas logjikave urbanistike totalitare, qyteti im ekzistonte ende provizorisht, i kërcënuar nga natyra përreth; ndërsa Tirana e sotme e ka fituar luftën patetike me dheun, barin, pemët; duke iu afruar, hap pas hapi, cakut fatal të pabanueshmërisë.
Italianët kanë një shprehje: SI STAVA MEGLIO QUANDO SI STAVA PEGGIO. Por edhe Talking Heads kanë një varg të hidhur: WATCH OUT, YOU MIGHT GET WHAT YOU’RE AFTER.
Gjuha i ka parashikuar të gjitha: mjaft të dish të mbash mend.
/Peizazhe.com